Pse po hesht Albana Koçiu? Skandali me të sëmurët me kancer te Onkologjiku, Ministrja e Shëndetësisë asnjë reagim

Një skandal i madh u zbulua sot, ku protagonistë janë mjekët e Onkologjikut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të cilet kanë zgedhur të “luajnë” me jetën e qytetarëve.

Mjekët e Onkologjikut, ku mijëra pacientë shkojnë për tu trajtuar dhe kuruar nga kanceri, kanë shpërdoruar detyrën, kanë shkelur betimin e Hipokratit, duke i detyruar ata që tu drejtohen drejt spitaleve private, duke rënduar edhe më shumë ekononimë e të sëmurëve.

Kanë qenë denoncimet e pacientëve dhe familjarëve të tyre që nxitën hetimet e Prokurorisë së Tiranës, e cila zbardhi edhe skemën se si mjekët nuk u jepnin shërbim këtyre pacientëve, por i orientonin drejt privatit, për qëllime ekonomike.

Familjarët e pacientëve me tumor janë detyruar që të paguajnë me mijëra euro te klinikat private, për shkak të udhëzimit që mjekët e Onkologjikut u jenin atyre dhe ku dihej që një pjesë të mirë të tyre, do t’i fusnin në xhep.

Në një rast, thuhet në dosjën e Prokurorisë, M. Xh. nga Burreli kishte pasur të ëmën më tumor, pasi kishte shkuar fillimisht për kontroll në QSUT është transferuar në klinikën private mjekësore ‘Megis” ku dhe ka bërë operim të ëmën për 2700 euro. 

Në bisedat e zbardhura nga Prokuroria janë komunikimet në Whatsapp mes dy mjekëve të cilët diskutojnë për pacientët, por edhe për paratë që fitojnë nga operacionet dhe planet për pushime jashtë vendit me paratë e siguruara.

“Paguaj ose vdis”, do të ishte për fat të keq edhe motoja e përdorur nga bluzat e bardha, të cilët do të duhej të ishin në shërbim të qytetarëve, por që janë kthyer në “vrasësit” e tyre”.

Ajo çfarë e bën edhe më të rëndë faktin është se edhe pse skandali po “zien” prej disa orësh, ende nuk ka asnjë reagim nga institucionet tona.

Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu ka “kyçur” gojën dhe në një vëzhgim në rrjete sociale ajo nuk ka preferuar të sqarojë opinionin publik, për këtë skandal.

Minimuni do të ishte një shpjegim ndaj këtyre pacientëve, familjarëve por edhe qytetarëve, të cilët në pamundësi ekonomike për tu kuruar jashtë, i drejtohen spitalit të Onkologjikut, por që sëmundjen e paguan shtrenjtë.

Ende nuk dihet se përse nuk ka ende një reagim nga Koçiu, por ajo që mund të thëmi është se jemi përpara një skandali të madh, një këmbane alarmi për shëndetësin në vend, aq shumë të propaganduar nga qeveria.