Nga Marcin Herman “Belsat”
Bosnje Hercegovina është vetëm një pjesë e çështjes. Shumë analistë vënë në dukje afrimin e autoriteteve serbe me Rusinë dhe Kinën dhe tensionet e vazhdueshme rreth Kosovës. Beogradi ka lënë të kuptohet nganjëherë se do të ndërmarrë veprime të forta, duke pretenduar se po shkelen të drejtat e serbëve që jetojnë në Kosovë.
Një situatë e tillë çon në krizë, e pasuar nga ndërhyrja e diplomacisë së BE-së dhe më pas tensioni nis të zbehet sërish. Deklaratat e fundit separatiste të Milorad Dodik, lidhen drejtpërdrejt me dëshirën e boshnjakëve për të njohur si gjenocid masakrën e Srebrenicës të vitit 1995.
Dodik bën shpesh deklarata të tilla sa herë që i jepet rasti. Vlen të theksohet se pak kohë para fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës, autoritetet e Republikës Srpska në Bosnje nisën procesin e shkëputjes nga Bosnje Hercegovina. Në atë kohë situata ishte më e ndërlikuar se sa sot.
Perëndimi ishte i përgjumur, dhe duket e paqartë se si do të reagonte ai ndaj sfidave në arenën ndërkombëtare. Pasi e panë ndihmën ndaj Ukrainës, serbët e Bosnjës çuan përpara idenë e largimit nga Bosnja. Ndërsa lufta vazhdonte, Dodik iu kthye retorikës separatiste, veçanërisht pasi SHBA kohët e fundit ka mbajtur një qëndrim më të paqartë.
Për shembull, ai deklaroi se nëse Donald Trump do të bëhet sërish president i SHBA-së, do të jenë të mundura ndryshimet e kufijve në Ballkan. Ka pasur raporte mbi ndërtimin e kampeve ruse të stërvitjes në Republikën Srpska, së bashku me shqetësimet mbi mediat propagandistike ruse që veprojnë në rajon, të ngritura nga BE-ja dhe boshnjakët.
Këto janë probleme reale. Aktivitetet e Rusisë dhe Kinës në Serbi dhe Republikën Srpska në Bosnje janë shqetësuese. Serbët janë të ndikuar shumë nga propaganda, ndaj së cilës nuk bëjnë rezistencë. Megjithatë, këto ngjarje nuk tregojnë se do të ketë domosdoshmërisht luftë.
Perëndimi është aktualisht më vigjilent dhe ka argumente më të forta. Situata aktuale nuk është e njëjtë si përpara luftës në shkallë të gjerë në Ukrainë, dhe është dukshëm e ndryshme nga telashet që sollën luftërat e viteve 1990. Në atë kohë, Perëndimi kishte pak interes për ish-Jugosllavinë, ndaj u deshën vite para se të ndodhte ndonjë ndërhyrje.
Sot, Perëndimi ka shumë interesa në Ballkan. Disa nga vendet në këtë rajon, janë tashmë anëtare të BE-së dhe madje edhe NATO-s. Synimi është zgjerimi i BE-së, për të përfshirë vendet që nuk janë anëtarësuar ende, si Serbia apo Bosnja.
Sarajeva u ftua kohët e fundit për të filluar negociatat e anëtarësimit, ndërsa Beogradi ka qenë për shumë vite në bisedime. Pavarësisht retorikës anti-perëndimore, Serbia, Bosnje Hercegovina (përfshirë Republikën Srpska) mbështeten kryesisht tek fondet evropiane dhe jo ato kineze dhe ruse.
Presidenti kinez Xi Jinping vizitoi Serbinë gjatë turit të tij të fundit në Evropë. Spekulohet se vizita e tij u krye për shkak të besimit të tij se Serbia do të anëtarësohet një ditë në BE, ndaj ai do që të çimentojë ndikimin kinez në vend. Situata ndryshon në rastin e Rusisë.
Kjo e fundit, ka kohë që është e interesuar të hapë një front tjetër në Ballkan, në kuadër të luftës hibride kundër Perëndimit. Retorika e autoriteteve serbe, dhe në një masë edhe më të madhe, e Republikës Srpska në Bosnje, sugjeron se edhe serbët mund të ndajnë këtë ambicie.
Duket se ka një bashkëpunim të ngushtë mes shërbimeve sekrete serbe dhe Rusisë. Këto lidhje të ngushta ekzistojnë, por edhe nga këndvështrimi i serbëve më nacionalistë, synimi nuk është të niset një luftë e re. Gjithçka ka të bëjë kryesisht me paratë. Gjithmonë.
Beogradi po përpiqet të manovrojë midis BE-së, Rusisë dhe Kinës për të siguruar përfitime maksimale. Dhe këto jo kryesisht për kombin serb, por për elitat e pushtetit dhe ato financiare. Udhëheqësi serb e trajton të gjithë retorikën pro-ruse, anti-perëndimore e nacionaliste të lidhur me luftën, si një mjet për të konsoliduar pushtetin dhe për ta izoluar opozitën.
Autoritetet në Republika Srpska, Bosnje, po ndjekin qëllime të ngjashme, por në një mënyrë më pak të sofistikuar. Çdo aspiratë për krijimin e një Serbie të Madhe, ka të ngjarë të realizohet në të ardhmen e largët dhe me mjete paqësore.
Prandaj, koncepti që Trump mund të ndërhyjë dhe të ofrojë mbështetje është jorealist pavarësisht deklaratave të tij të ndryshme. Është e rëndësishme të theksohet, se këto aspirata përqendrohen rreth zhvillimit paqësor të një Serbie të Madhe dhe jo përmes mjeteve ushtarake.
Serbët mund të ndikohen nga propaganda ruse, por kjo nuk do të thotë se ata duan të luftojnë, veçanërisht ndaj NATO-s. Kujtimet e viteve 1990 janë ende të freskëta në mendjet e tyre, dhe Serbia po përpiqet të shkëputet nga ajo periudhë. Në përgjithësi, situata në Ballkan është e ngjashme me pjesën tjetër të Evropës.
Njerëzit nuk duan të luftojnë. Ata duan të jetojnë më rehat. Sipas këndvështrimit të tyre, Rusia dhe Kina shihen si burime potenciale të të ardhurave shtesë dhe levave në negociatat me Perëndimin, dhe jo si padronë. Serbët nuk janë rusë, dhe nuk kanë qenë kurrë të tillë. Serbia, madje edhe Republika Srpska në Bosnje, janë demokratike. Në Serbi, koalicioni nacionalist në pushtet, fitoi kohët e fundit me një rezultat shumë të ngushtë. Një bllok i tillë politik nuk do të sundojë përgjithmonë. Kjo është ajo që pret Evropa, derisa një ditë të ketë më në fund ndryshime, siç ndodhi 20 vjet më parë.
Për rreth një dekadë, qeveria serbe drejtohej nga forca pro-perëndimore. Perëndimi, përfshirë BE-në, NATO-n dhe vende të veçanta si SHBA-ja, Franca dhe Gjermania, zotëron shumë mjete për të parandaluar luftën në Ballkan. Forcat ushtarake janë të stacionuara në Bosnje dhe Kosovë nën mbikëqyrjen e BE-së dhe ato bashkëpunojnë me NATO-n.
Në kushtet kur ka raketa dhe avionë të aftë që të mbërrijnë në pak minuta tek objektivat, aleanca ka një prani të gjerë në rajon. Supozoni për një moment sikur dikush do të mendonte fillimin e një konflikti të ri. Në këtë skenar, mund të përdoren disa kanale diplomatike për t’i penguar këta individë të nisin një luftë të re që përpara se të përdoren ultimatumet ushtarake.
NATO e ka përdorur shumë herë në të kaluarën forcën në ish-Jugosllavi, dhe është e gatshme ta bëjë këtë sërish nëse do të jetë e nevojshme. Franca dhe disa vende të tjera po shqyrtojnë vendosjen e trupave në Ukrainë. Edhe ato nuk do të hezitonin të ndërhynin në Ballkan.
Elitat serbe janë të vetëdijshme për të gjitha këto. Fakti që ato nuk po përgatiten për asnjë luftë me Perëndimin, e dëshmojnë edhe negociatat e tyre me Francën për blerjen e avionëve luftarakë Rafale. Pasi të finalizohet kjo marrëveshje, do të çojë në lidhje më të forta midis Serbisë dhe Francës.
Nga ana e Parisit, kjo lëvizje biznesi është në përputhje me politikën e saj aktuale aktive ndërkombëtare. Kohët e fundit, Franca nënshkroi marrëveshje ushtarake me Armeninë dhe Moldavinë, dhe po forcon më tej marrëdhëniet e saj me Rumaninë.
Gatishmëria e Francës për të treguar një prani më të dukshme ushtarake në rajonin e Ukrainës është vënë re tashmë. Me sa duket Parisi synon të konkurrojë për ndikim në Ballkan me Kinën dhe Rusinë, duke përfituar nga pavendosmëria aktuale e SHBA-së dhe Gjermanisë. Prandaj, është e pasigurt nëse Serbia do t’i bashkohet një aleance me Rusinë dhe Kinën. Për të gjitha arsyet që përmenda më lart, nuk ka gjasa të ketë një luftë të re në Ballkan, edhe pse Rusia mund ta dëshirojë këtë gjë. Bashkëpunimi i Rusisë me serbët ka një rëndësi gjeopolitike.
Ai është pjesë e luftës hibride me Perëndimin, dhe ka më pak lidhje me ekonominë. Për serbët, ka të bëjë kryesisht me paratë, qoftë nga Rusia, Kina apo Evropa. Natyrisht, veprime sporadike të dhunshme dhe destabilizuese mund të ndodhin, por poshtë kufirit të një konflikti të armatosur. Megjithatë, në çdo herë, ato shërbejnë vetëm për të ndjekur pushtetin dhe paranë.