Durim Bami pritet të ekstradohet në Shqipëri, ministri Balla: Dubai nuk është oaz ku mund t’i shpëtosh drejtësisë

Kur kanë kaluar vetëm pak ditë nga arrestimi i Durim Bamit në Dubai, që u njoftua përmes Interpol Abu DaBIT, SPAK bëhet me dije se i përcolli shkresat Ministrisë së Drejtësisë, si institucioni kompetent që kryen përkthimin e dosjes dhe u jep rrugë letërporosive.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka folur sot për ekstradimin e tij, duke thënë se drejtësia shqiptare i ka të gjitha instrumentet për ta marrë dhe për ta vendosur para ligjit në Shqipëri.

Në një deklaratë për Mediat, Balla tha se Dubai nuk është një oaz për kriminelët shqiptarë dhe se janë në fazën e vlerësimit të dokumentacionit të SPAK.

“Kjo është diçka për të cilën ne jemi në kontakt me autoritetet policore të Emirateve të Bashkuara Arabe me të cilët kemi një komunikim të shkëlqyer dhe që dua ta them shumë qartë se jemi në fazën e vlerësimit të dokumentacionit të përgatitur nga SPAK, nga pala e Emirateve të Bashkuara Arabe. Gjithë provat e paraqitura nga pala shqiptare, do të vlerësohen nga autoritetet gjyqësore të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe unë jam i bindur se kjo qasje e krijuar se Emiratet apo Dubai është një oaz ku mund t’i shpëtosh përballjes me drejtësinë, dhe autoritetet e këtij vendi mik e kuptojnë qartë se raste si rastin që ju përmendët, i kemi të gjitha instrumentet për ta vendosur para drejtësisë shqiptare”, tha Balla.

Bami, cili rezultoi se ishte i shumëkërkuar edhe nga grupet kriminale që ofronin 1 milion euro për jetën e tij, dyshohet se u përpoq të vriste ish deputetin Arben Ndoka, Tori Xheçukën dhe Erigers Migasin.