Nga 19 Qershori 2016, në 15 Qershor 2024! Nga Lioni në Dortmund, nga Rumania te Italia! 8 vite pritje për t’u rikthyer në skenën e madhe, me një mentalitet tjetër, me më shumë besim dhe kurajo se mund t’ia dalim ndaj kujtdo!
Nga Tirana në Prishtinë, në Çamëri, Tivar e Gostivar, Shkup, Ulqin, në Luginën e Preshevës dhe kudo në diasporën shqiptare, zemrat do të rrahin njëkohësisht, në çdo notë të Himnit Kombëtar, në çdo prekje topi dhe në çdo sekondë të 90 minutave!
Sot, Kombëtarja shqiptare, krenaria jonë, do të debutojë në EURO 2024 ndaj një kundërshtari të vështirë, kampionëve në fuqi të Italisë. Miqve të vjetër, por për 90 minuta do të jenë kundërshtarët tanë më të mëdhenj.
Në “Signal Iduna Park” të Dortmundit, i cili pritet të pushtohet nga ngjyrat kuq e zi, lojtarët e grumbulluar nga Sylvinho do të tentojnë të marrin një rezultat pozitiv, për të gëzuar zemrat e milionave shqiptarëve në të gjithë botën.
Por dilemat janë të mëdha për sa i përket formacionit që Sylvinho pritet të hedhë në fushë nga minuta e parë. Mëdyshjet fillojnë që nga porta, ku Berisha dhe Strakosha do të luftojnë për një fanellë titullari. Më i favorizuar duket Berisha, me trajnerin brazilian që pritet t’i besojë eksperiencës së tij për të mbrojtur katërkëndëshin tonë.
Përpara tij i sigurt është Berat Gjimshiti, i cili do të udhëheqë mbrojtjen me shiritin e kapitenit në krah. Por ende ka dyshime për partnerin e tij në qendër të mbrojtjes, me Ismajlin , Ajetin dhe Kumbullën të gatshëm për të formuar digën e prapavijës së Shqipërisë.
Në krah, thuajse të konfirmuar janë Elseid Hysaj nga e djathta dhe “fenomeni” Mario Mitaj në të majtë, që do të ketë mundësi të tregojë talentin e tij në sy të skautëve nga e gjithë bota.
Në mesfushë duket më e lehtë për Sylvinhon, që “çelësat” ia ka dorëzuar Ylber Ramadanit dhe Kristjan Asllanit, ndërsa përpara tyre do të vendoset truri i ekipit, Nedim Bajrami. Krahu i djathtë i sulmit është prenotuar nga Jasir Asani, ndërkohë që në të majtë ka balotazh mes Taulant Seferit dhe Arbër Hoxhës.
I pari luajti pothuajse gjatë gjithë ndeshjeve eleminatore, por Hoxha në dy miqësoret e fundit tregoi se ka potencialin për të bërë mirë në të majtë të sulmit tonë. Pavarësisht kësaj, më i favorizuar duket Seferi, pasi bën më mirë edhe detyrat mbrojtëse.
Sulmin do ta udhëheqë Armando Broja, i cili erdhi pas një sezoni zhgënjyes me Chelsea dhe Fulham, por në miqësoret e fundit mori minuta për të qenë gati në sfidat ndoshta më të rëndësishme të jetës së tij.