Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi sekuestron e 3 milion eurove pasuri të ish-shefit të Operacionales, Oltian Bistri dhe familjarëve të tij.
Bistri, i cili u arrestua në korrik të vitit që shkoi në atë që njihet si operacioni “Metamorfoza”, akuzohet nga SPAK se është përfshirë në veprimtari kriminale që prej vitit 2016 dhe se pasuria e vënë i përket kësaj veprimtarie.
Një muaj më parë Prokuroria e Posaçme njoftoi vendosjen në sekuestro të 20 dyqaneve, 10 apartamenteve, 10 apartamenteve 1 vile dhe një garazhi.
Vlera e këtyre pasurive është disa herë më e lartë se të ardhurat e ligjshme të përfituara prej Oltian Bistrit dhe familjarët e tij.
Gjykata e Apelit në GjKKO ka vendosur sot që sekuestro të mbetet në fuqi.
Në kuadër të dosjes ‘Metamorfoza’, zbërthimi i aplikacioneve Encro Chat dhe SKY ECC zbuloi rrjetin e anëtarëve të grupit kriminal, ku përfshihej edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-Shefi i operacionales Oltion Bistri.
Komunikimet në aplikacionet e çkoduara, treguan se Bistri shërbente si informatori i çfarë ndodhte në godinën e Policisë së Shtetit, duke ia dërguar Pëllumb Gjokës.