Plagosja e 30 vjeçarit në Shkodër/ Zbulohet dhe shpallet në kërkim autori, e qëlloi disa herë me armë

Policia ka zbardhur ngjarjen e dy netëve më parë në Shkodër ku u plagos me armë 30 vjeçari Ndue Preka.

I riu ka deklaruar se nuk kishte konflikte me askënd. Policia, zbuloi përmes kamerave në zonë se autori është Klodian Guraleci, që mban edhe mbiemrin e ndryshuar Krasniqi.

Guraleci është nga fshati Toplanë i njësisë Temal të bashkisë Vau Dejës.

Dyshohet se mes tyre ka patur një konflikt të mëparshëm që ka sjellë këtë ngjarje.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30 të 9 qershorit në periferi të Shkodrës, ku 30 vjeçari ndodhej në lagjen “Mark Lula”. Pamjet kanë treguar se  papritur autori i dyshuar Guraleci është afruar dhe ka qëlluar ndaj tij disa herë me armë zjarri pistoletë. Një prej plumbave e ka kapur në këmbë 30-vjeçarin duke i dëmtuar gishtin ndërsa dy plumba të tjerë goditën një automjet që ishte i parkuar dhe brenda tij nuk ndodhej askush.

I plagosuri u dërgua në spitalin rajonal të Shkodrës ndërsa pas pak orësh doli nga spitali duke qenë jashtë rrezikut për jetën dhe u shoqërua në komisariatin e policisë për të dhënë dëshminë e tij rreth ngjarjes. Preka nuk ka pranuar të tregojë se kush është autori që e qëlloi me armë zjarri duke thënë se nuk ka arritur që ta njohë.

“Nuk e di se kush më qëlloi. Nuk arrita që ta identifikoj sepse ishte errësirë dhe u largua me shpejtësi pasi më plagosi. Unë nuk kam ndonjë konflikt me persona të tjerë ndaj edhe nuk e kam idenë se kush mund të jetë personi që më plagosi. Nuk kam patur probleme apo kërcënime të mëparshme ndaj edhe nuk e kam idenë përse më qëlluan”, mësohet të ketë thënë 30-vjeçari.