Elton Qyno
Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për dy nga personat e arrestuar lidhur me vrasjen e reçepsionistit të hotel “Grecia” në Dhërmi, Eraldo Nevruzi.
Rasti është hetuar nga prokurorja e Vlorës, Vitjona Mata, e cila i kërkoi sot gjykatës së Vlorës caktimin e masës së sigurimit arrest në burg për Daniel Qosen dhe David Lartin, pasi ata dyshohen se kanë bashkëpunuar me autorin e krimit Gerard Shehun për të “Fshehur ose asgjësuar kufomën” e Eraldos.
Kërkesa e prokurores është pranuar nga gjykata e Vlorës, megjithëse dy të arrestuarit punonjës tek hotel “Grecia” kanë pretenduar se ishte Shehu ai që i kishte kërcënuar me armë, për ta ndihmuar.
Të dy kanë shprehur pendesë në Gjykatë dhe kanë thënë se të gjitha veprimet i kanë bërë pasi pronari i ka kërcënuar me armë. Ata kanë asgjësuar të gjitha provat e vrasjes, duke djegur sendet personale, telefonin dhe rrobat e 31-vjeçarit në furrën e picerisë.
Arma e krimit ende nuk është gjetur, ndonëse në kasafortën e pronarit Gerald Shehu u gjet një gëzhojë plumbi.
“Arrest në burg” në mungesë gjykata e Vlorës ka vendosur dhe për autorin e krimi Gerald Shehu. Altualisht ky i fundit është arrestuar në aeroportin e Korfuzit, teksa po përpiqej të largohej përmes linjës ajrore në drejtim të Anglisë.
Ndërkohë në “arrest shtëpie” është lënë nga gjykata dhe shoferi i ambulancës së morgut të Vlorës, Artur Ismailaj, i cili filmoi trupin e pajetë të Nevruzit dhe ja dërgoi disa gazetarëve në Vlorë.
Eraldo Nevruzi nga qyteti I Korçës, u qëllua me dy plumba në kokë në shkallët e hotelit dhe më pas është tërhequr zvarrë deri në katin e nëndheshëm të hotelit.
Më pas autori I krimit Gerald Shehu, besohet se ka detyruar dy punëtorët e hotelit ta ndihmojnë për ta zhveshur kufomën, mbështjellë trupin e viktimës me plastmas e çarçafë dhe transportuar në bagazhin e makinës në drejtim të përroit të Gjipesë, duke e fshehur trupin mes shkurreve.
Gjykata e Korfuzit, ka vendosur tre ditë më parë caktimin e masës së “arrestit në burg” me afat 40 ditor për Gerald Shehun, autorin e vrasjes së recepsionistit tek hotel “Greçia”, Eraldo Nevruzi.
Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, Geraldo Shehu, ka pohuar se është shtetas Anglez dhe se ekstradimi i tij në Shqipëri i rrezikon seriozisht jetën.
Shehu ka pretenduar se vrasjen e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi vetë Eraldo Nevruzi e kishte ofenduar dhe goditur i pari.