Nga Javier Villamor “Brussels Signal”
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Lejen, ka udhëhequr në një mënyrë që kritikët e saj e quajnë “presidenciale”. Mbi disa çështje, edhe Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së, ka thënë se ajo ka vepruar “pa përfaqësuar askënd tjetër, përveç vetes”.
Megjithatë, ajo ka ndërmend të vazhdojë edhe për një mandat tjetër. Zgjedhjet e Parlamentit Evropian janë vetëm disa ditë larg, dhe Von Der Lejen garon për rizgjedhjen në detyrë nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian. Por po përballet me jo pak probleme. E majta nuk do t’ia falë që është pjesë e Partisë Popullore Evropiane (EPP), pavarësisht se PPE dhe grupimi Socialistët dhe Demokratët (S&D) votojnë njëlloj thuajse gjatë gjithë kohës.
Por nuk do e falë as e djathta, sepse gjatë 5 viteve të fundit Von Der Lejen, është dukur si më e lidhur me të majtën, duke zbatuar – dhe madje duke zgjeruar – kërkesat e tyre. Një shembull i qartë ishte Marrëveshja e Gjelbër. Edhe pse është një kandidate me përvojë, dhe prej 5 vitesh punon dhe jeton në selinë e Berlaymont në Bruksel (ka një apartament pranë zyrës së saj), ish-ministrja gjermane ka bërë 8 gabime të mëdha, që nuk harrohen.
1. Menaxhimi i pandemisë së Covid-19
Pavarësisht fuqisë në rritje dhe të centralizuar të Brukselit mbi çështjet e përditshme, Von Der Lejen nuk ishte në gjendje të arrinte një përgjigje të përbashkët të Bashkimit Evropian ndaj krizës së Covid-19. Madje marrëdhëniet me kompanitë e mëdha farmaceutike u kthyen në një skandal, dhe as eurodeputetët nuk ishin në gjendje të përcaktonin saktësisht se për çfarë ishte rënë dakord.
Për më tepër, nuk është zbardhur ende skandali “Pfizergate”. Fjala është për fshehjen e telefonatave dhe mesazheve të shkëmbyera midis Von Der Lejen dhe kreut të kompanisë Pfizer Albert Bourla në negocimin e blerjes së vaksinave. Mësohet se në këtë skandal janë përfshirë edhe disa persona të tjerë.
2. Kriza ekonomike
Pasojat ekonomike që shkaktoi Covid në BE, kanë qenë katastrofike. Në fakt, disa vende nuk e kanë arritur ende nivelin e prodhimit të para Covid. Këtu përfshihet Spanja, Gjermania dhe Republika Çeke. Qindra miliona euro janë investuar në projektet e rimëkëmbjes, por qytetarët e thjeshtë nuk i kanë ndjerë ende përfitimet. Sipas Eurostat, borxhi publik në BE është mbi 80 për qind.
3. Ndryshimet klimatike
Rimëkëmbja ekonomike e ngadaltë, shpjegohet pjesërisht me politikat “e gjelbra”, që po e pengojnë industrinë evropiane. KE synon të arrijë zero emetime ndotëse në industri deri në vitin 2050. Edhe pse tani për tani, sektori më i prekur është bujqësia, teksa masat po i detyrojnë fermerët të përballen me reduktime drastike të prodhimit.
Në shkurt, Komisioneri i Bujqësisë, polaku Janush Vojçiekovski, e pranoi se do të ulen objektivat për punëtorët e fermave. Por dëmi tashmë bërë tashmë, dhe sot është më e vështirë të konkurrosh me vendet jashtë BE-së. Importet nga vende si Maroku, kanë nisur të vërshojnë në tregjet evropiane falë marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Konkurrenca shihet si e padrejtë, sepse marokenëve nuk u kërkohet të plotësojnë të njëjtat kushte fitosanitare si produktet evropiane. Për këtë arsye, në mbarë kontinentin ka pasur demonstrata të fermerëve.
4. Kohezioni i brendshëm
Sipas konceptit të “sundimit të ligjit”, Brukseli ka ndëshkuar vendet që ajo mendon se po veprojnë jashtë rregulloreve të tij. Disa raste janë të justifikuara. Por për shumë njerëz, Brukseli mban dy standarte në zbatimin e shtetit të së drejtës. Ndër shembujt kryesorë është ai i Polonisë nën qeverinë e kryeministrit Donald Tusk, të zgjedhur në vitin 2023.
Von Der Lejen i ndërpreu menjëherë të gjitha hetimet sapo ai erdhi në pushtet, edhe pse qeveria Tusk nuk kishte bërë ndryshime të dukshme. Ndërkohë qeveria e mëparshme konservatore e PiS, u vendos nën një presion të madh. Hungaria është nën një presion të ngjashëm. Spanja nën qeverinë aktuale socialiste të udhëhequr nga kryeministri Pedro Sançez, akuzohet nga e djathta se ka shkelur kushtetutën e vendit dhe ligjet evropiane. Por nga KE nuk ka pasur asnjë reagim.
5. Rëndësia e BE-së në botë
Vitet e fundit, Brukseli e ka humbur fuqinë dhe ndikimin në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo ka ndodhur për shkak të disa faktorëve. Midis tyre, është konkurrenca e drejtpërdrejtë me SHBA-në. Vlera e euros ka rënë shumë, dhe tashmë është më afër asaj të dollarit. Pastaj është edhe rritja e Kinës, ekonomia e së cilës e ka kaluar atë të BE-së, dhe mendohej ta kalojë atë të SHBA-së deri në vitin 2050.
BE-ja dëshiron të krijojë një hapësirë për vete midis dy fuqive. Por vështirë se ajo është në gjendje të negociojë kushtet, me një Pekin që e sheh me përbuzje një BE-në në dobësim të vazhdueshëm. Përveç kësaj, de-industrializimi në Evropë po e zbeh konkurrencën, siç është edhe kostoja e lartë e energjisë si rezultat i luftës në Ukrainë. Këto ia bëjnë gjithnjë e më të vështirë Evropës, për të pasur rritjen apo edhe ruajë peshën e saj ekonomike në botë.
6. Emigracioni
Emigracioni masiv vazhdon të mbetet një problem, dhe Komisioni po përpiqet të frenojë fluksin e të ardhurve, pavarësisht marrëveshjeve me vendet e origjinës. Por zgjidhja e Von Der Lejen pasi ishulli italian i Lampeduzës u mbi-popullua nga emigrantët vitin e kaluar, nuk ishte forcimi i misionit të rojes kufitare të BE-së, Frontex.
Ajo vetëm sa i inkurajoi shtetet anëtare të hapin më shumë kanale ligjore për migrimin legal. Edhe traktati i ri i BE-së për Azilin dhe Migracionin, ofron më shumë fonde dhe mjete për shtetet anëtare për ta arritur këtë. Por ajo ka shkaktuar tensione brenda bllokut me të ashtuquajturën “kuotë të refugjatëve”, që ua imponon të gjitha vendeve të BE-së. Dhe në asnjë moment, nuk ka folur për uljen e fluksit të emigrantëve.
7. Lufta në Ukrainë
Disa kritikë thonë se vendimet e marra nga Von Der Lejen, kanë pasur me sa duket pak lidhje me interesat evropiane. Sanksionet kundër Rusisë, nuk po japin efektet e dëshiruara. Ato kanë sjellë një ndikim negativ tek vendet evropiane. Çmimet e energjisë dhe ushqimeve janë rritur që nga fillimi i luftës. Këto të fundit janë rritur mbi 20 për qind. Inflacioni nuk është ulur, dhe kostoja e jetesës është rritur në të gjitha shtetet anëtare.
8. Zgjerimi i nxituar
Menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë, Komisioni vendosi të anashkalojë të gjitha procedurat dhe të përshpejtojë përfshirjen e deri 9 vendeve në bllok, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainën. Gati asnjë nga vendet kandidate, nuk i plotëson standartet për këtë, dhe sigurisht as Ukraina që ndodhet në mesin e një lufte.
Në fakt, anëtarësimi i mundshëm i Kievit është më shqetësuesi, sepse procesi i pranimit nuk ka nisur asnjëherë me një kandidat të përfshirë në një luftë totale me një shtet tjetër. Zërat kritikë brenda KE, janë shumë të shqetësuar mbi pasojat e mundshme të një zgjerimi të tillë të imponuar, duke pasur parasysh përçarjen që mund të shkaktonte në tregun e brendshëm, me kuotat që po shkaktojnë tashmë vështirësi midis 27 anëtarëve aktualë.