Nga Anne Pierce “National Interest”
Është humbur shumë kohë dhe janë shpërdoruar shumë mundësi për parandalimin dhe veprimin kolektiv. NATO duhet të reagojë tani për ta ndalur Rusinë. Pse është i domosdoshëm veprimi i shpejtë? Së pari për arsye morale. A do të lejojë aleanca vazhdimin e fushatës gjenocidale të Rusisë në zemër të Evropës?
Së dyti për arsye ekzistenciale. Sepse Rusia kërcënon jo vetëm Ukrainën, por demokracitë në të gjithë Evropën, madje edhe më gjerë. A janë të gatshme vendet e NATO-s të rrezikojnë sigurinë dhe mënyrën e tyre të jetesës? Së treti, për paqen dhe stabilitetin. Rusia shkakton luftë, kaos dhe trauma kudo që shkon.
A shpreson vërtet NATO të arrijë një kompromis me Rusinë, kur Putini i përdor gjithmonë “proceset e paqes” për të blerë kohë, dhe për të zhvilluar sa më shumë luftë dhe agresion në të ardhmen? Së katërti, për të shpëtuar atë që ka mbetur nga rendi botëror i pas Luftës së Dytë Botërore.
Boshti i guximshëm Rusi-Kinë-Iran, kërkon një rend të ri botëror të dominuar nga vendet diktatoriale. A do ta humbasë NATO shansin, për t’i dërguar këtij boshtit një sinjal të qartë, duke vepruar me vendosmëri kundër Rusisë? Vendet e krahut lindor të aleancës, e kuptojnë emergjencës e ndalimit të Rusisë, dhe e nxisin të gjithë NATO-n të veprojë në përputhje me rrethanat.
Presidenti letonez, Edgar Rinevics, paralajmëroi në një intervistë të fundit për Sky News:”Nëse Rusia nuk ndalet në Ukrainë, ajo mund të mendojë se NATO nuk është serioze për mbrojtjen e saj, dhe atëherë do të jemi të gjithë në telashe”.
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, dhe presidenti polak Andrzej Duda, u kërkojnë vendeve të NATO-s që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 3 nivelin për qind të PBB-së së tyre dhe ta ndihmojnë Ukrainën tani. Kallas tha se për BBC:”Përndryshe cilat janë mësimet që jemi nxjerrë nga ngjarjet e viteve 1930-1940?”.
Ministri i Jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis, ankohet për zvarritjen e NATO-s në “rritjen e gatishmërisë”, dhe pohoi kohët e fundit se “përfshirja e Ukrainës nën ombrellën e mbrojtjes kolektive të NATO-s” është “e vetmja mënyrë për ta penguar agresionin rus”.
Folësit në një aktivitet të Këshillit Atlantik më 21 maj më titull “Samiti i NATO-s në Uashington:Ukraina dhe siguria transatlantike në epokën e autoritarëve që po marshojnë”, ranë në përgjithësi ranë dakord se Ukraina duhet të pranohet në NATO, dhe se dështimi për t’i dhënë përparësi kësaj çështje në samitin e ardhshëm në korrik, nuk do të ishte një “shfaqje e mirë”.
Pra a do t’i trajtojë NATO seriozisht kërcënimet e tmerrshme dhe në rritje që ka përpara?
Në vend se të vihet theksi tek festimet e 75-vjetorit të NATO-s, ish-ambasadori Xhon Herbst, thotë se NATO duhet të adoptojë “mentalitetin e kohës së krizave”.
Ndërkohë drejtuesja e Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane, Alina Poljakova shtoi se “një aleancë vigjilente, do të ishte tashmë në gjendje lufte”. Ish-shefi i NATO-s Fog Rasmusen deklaroi me të drejtë:“Ndërsa ne hezituam, Rusia i përshkallëzoi veprimet e saj. Ndaj duhet të zgjohemi”.
Shefi i Zyrës së Presidentit të Ukrainës Andrij Jermak paralajmëroi:“Rusia nuk do të ndalet me kaq. Ne duhet ta ndalojmë atë së bashku”. Por pavarësisht thirrjeve të tilla për një politikë më të fortë të vendosur, duket se NATO-ja nuk ka gjasa të veprojë me ashpërsinë dhe vendosmërinë e nevojshme për të “ndalur Rusinë “.
Prandaj, është e nevojshme të theksohet se në prag të samitit të NATO-s në Uashington rreziqet janë shumë të mëdha. Le të vlerësojmë si duhet përmasat e kërcënimit rus ndaj gjithçkaje që supozohet se vlerëson dhe mbron Bota e Lirë.
Nga Çekia në Gjeorgji e deri në Siri, Rusia është treguar luftarake, ka kryer akte mizore, tortura, dëbime dhe zhdukje të civilëve, përfshirë fëmijë, ndërsa ka shfaqur një oreks të madh për territore dhe dominim. Rusia sot ka kampe paraburgimi dhe angazhohet në spastrime etnike.
Çerkezët dhe tatarët e Krimesë po kolonizohen dhe mbahen nën një kontroll brutal. Putini ka krijuar me sukses një shtet kukull në Bjellorusi, dhe të njëjtën gjë po bën edhe në Serbi. Në Armeni dhe Azerbajxhan dhe gjetkë, ai ka nxitur “konfliktet e ngrira” që i përshtaten aq mirë synimeve të tij të errëta.
Moldavia përballet me një kërcënim të vazhdueshëm nga “krahina e shkëputur” pro-ruse e Transnistrias. Dhe përkundër frymës së paepur pro-demokratike të popullit gjeorgjian, Rusia po punon të uzurpojë Gjeorgjinë me “ligjin e agjentëve të huaj” të miratuar nga një qeveri shumë pranë Moskës.
Asnjë pjesë e Evropës, nuk është e imunizuar nga lufta hibride e Rusisë. Nga Baltiku në Ballkan, Rusia po synon të destabilizojë demokracitë përmes keqinformimeve (tani të përmirësuar nga Inteligjenca Artificiale), sulmeve kibernetike, luftës elektronike dhe operacioneve agresive të inteligjencës.
Rusia sillet në mënyrë të pamatur dhe e pacipë, pa asnjë shqetësim për normat e qytetërimit. Estonia protestoi kohët e fundit në lidhje me bllokimin e sinjaleve GPS nga Rusia, të cilat prekën rrezikshëm veprimtarinë e aviacionit në rajon. Metodat e GRU (shërbimit sekret ushtarak në Rusi) përfshijnë sabotimet, operacionet kibernetike, atentate dhe zjarrvëniet.
Sipas Financial Times, agjencitë evropiane të inteligjencës kanë paralajmëruar se Rusia “po përgatit akte sabotazhi në të gjithë kontinentin, ndërsa po angazhohet në një kurs konflikti të përhershëm me Perëndimin”. Përgjigja e BE-së dhe NATO-s ka mbetur e dobët, edhe pse janë shtuar shkeljet e rregullave dhe normave nga Rusia.
Po ashtu, Moska po përdor propagandën dhe “masat aktive” për të përçarë amerikanët dhe qytetarët brenda të gjitha demokracive perëndimore, për t’i vendosur ata kundër njëri-tjetrit, për të larguar Evropën nga Shtetet e Bashkuara, dhe për të përçarë aleatët e NATO-s.
Rusia dëshiron një Perëndim të përçarë, cinik, që nuk e di më se çfarë përfaqëson. Dhe a ka mënyrë më të mirë për t’iu kundërvënë kësaj strategjie, sesa që aleatët e NATO-s të bashkohen me një vendosmëri moralo-demokratike, të demaskojnë me këmbëngulje gënjeshtrat e Putinit, të ri-shpikin programe si Zëri i Amerikës dikur, dhe të përfshihen në operacionet e tyre të fuqishme informative?
Vetëkënaqësia me të cilën NATO e pas Luftës së Ftohtë është përballur me kërcënimin rus, e ka dëmtuar besueshmërinë dhe autoritetin e aleancës. Nuk është çudi që Polonia dhe Estonia janë shndërruar në baza të mëdha luftarake. Sipas raporteve të vetë aleancës, NATO zotëron vetëm 5 për qind të mbrojtjes ajrore të nevojshme për të mbrojtur vendet e krahut lindor nga një sulm në shkallë të plotë.
Për më tepër, fakti që Rusia nuk është përballur me rezistencën e palëkundur dhe të pagabueshme perëndimore ndaj tmerreve që po i shkakton Ukrainës dhe maktheve që i ngjall Evropës, nënkupton se ajo është relativisht e lirë të bëjë kërdinë në të gjithë botën.
Aleatët si Rusia, Irani dhe Hezbollahu ia dolën të mbanin në pushtet regjimin e urryer sirian përmes luftës dhe mizorive të pamëshirshme, dhe vendet e NATO-s dhe të tjerët, bënë pak për t’i ndalur ata. Dhe liderët arabë dhe perëndimorë, përfshirë administratën Biden, po lëvizin drejt “normalizimit” të marrëdhënieve me regjimin e Asadit, pavarësisht luftës së tij gjenocidale të vazhdueshme ndaj popullit sirian.
Putin ndihmon ekstremistët islamikë si dhe liderët autoritarë, duke shfrytëzuar gjatë gjithë kohës kaosin dhe dëshpërimin. Hezbollahu, Hamasi, Talibanët, Huthit… Rusia ka marrëdhënie me të gjithë ata, për aq sa dëmtojnë strukturën dhe sigurinë e demokracive dhe pengojnë elementët pro-demokracisë në vendet në zhvillim.
Llogaritë e NATO-s duhet të përfshijnë fuqinë e Rusisë, Kinës dhe Iranit. Këta partnerë dhe aleatë, përfitojnë nga transferimet e armëve dhe teknologjisë, stërvitjet e përbashkëta ushtarake, tregtia e energjisë, shkeljet e sanksioneve dhe mbulimi i njëri-tjetrit në OKB.
NATO duhet t’i frenojë dhe kundërshtojë këto regjime armiqësore, brutale. Dhe megjithëse Kina është kundërshtari më i frikshëm i Amerikës, ndalimi i luftës së egër dhe shkatërruese të Rusisë kundër Ukrainës, është thelbësor për këtë përpjekje. Duke e ndihmuar pa mëdyshje dhe me shpejtësi Ukrainën ta mposhtë Rusinë, NATO mund t’u japë të gjithëve një pengesë vendimtare dhe një paralajmërim të besueshëm.