Anëtarët e rinj të KLP dhe KLGJ, ambasada amerikane kundër përzgjedhjes me short

Ambasada amerikane në vendin tonë ka reaguar në lidhje me procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KLP dhe KLGJ, nga radhët e avokatëve.

Në një postim në rrjete sociale, ambasada thekson se Shtetet e Bashkuara presin që ky proces të rezultojë në përzgjedhjen e kandidatëve më të kualifikuar me nivelet më të larta të profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë, gjë që mund të sigurohet vetëm nga përzgjedhja reale e kandidatëve nga nënkomisioni dhe jo përmes shortit.

“Ambasada e SHBA po ndjek nga afër procesin e sotëm të nënkomisionit parlamentar për përzgjedhjen e anëtarëve nga radhët e avokatëve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Shtetet e Bashkuara presin që ky proces të rezultojë në përzgjedhjen e kandidatëve më të kualifikuar me nivelet më të larta të profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë – gjë që mund të sigurohet vetëm nga përzgjedhja reale e kandidatëve nga nënkomisioni në vend që t’i drejtohet rastësisë përmes një shorti”, thotë ambasada në një njoftim në rrjetet sociale.

Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur Shqipërinë teksa ajo lufton korrupsionin, forcon institucionet e saj të drejtësisë dhe garanton shtetin e së drejtës”- thuhet në reagim.