Policia e Shtetit ka publikuar foton e Gerald Shehut, autorit të dyshuar të vrasjes dhe zhdukjes së trupit të Eraldo Nevruzit, 31 vjeçarit që punonte si recepsionit në një hotel në Dhërmi.
Bëhet me dije se ende nuk është bërë e mundur gjetja e trupit të viktimës, i cili dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në një nga dhomat e hotel “Greccia”.
Foto dhe informacionet për autorin i janë dhënë edhe autoriteteve greke, pasi dyshohet se 43 vjeçari është arratisur drejt vendit fqinj.
Himarë/Informacion shtesë
Në vijim të veprimeve intensive që po kryen grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, për gjetjen e shtetasit E. N., si dhe për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit, sqarojmë se nga kontrollet e deritanishme nuk është bërë ende e mundur gjetja e shtetasit E. N.
Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar, shtetasin G. Sh. (bashkëpronar i hotelit ku punonte shtetasi E. N.) dhe po bashkëpunon me Policinë greke për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij, pasi nga hetimet e deritanishme, pamjet filmike të sekuestruara dhe dëshmitë e marra, dyshohet se shtetasi G. Sh. ka qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit E. N.
Policia e Shtetit vë në dispozicion foton e autorit të dyshuar, e cila i është vënë në dispozicion edhe Policisë greke dhe partnerëve të vendeve të rajonit.
