Edi Rama është i gatshëm të bëjë çdo gjë për të mbajtur pushtetin, dhe këtë e ka treguar në shumë raste, madje duke hedhur në “gojën” e drejtësisë edhe njerëzit e tij më të besuar, që me votat e tyre e sollën në pushtet.
Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 i dhanë atij një forcë absolute në parti, forcë e cila u zmadhua shumë më shumë kur ai mori pushtetin në vitin 2013, e që vazhdon të shtohet vit pas viti, pasi askush nuk guxon t’i dalë kundër. Edhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor para zgjedhjeve të vitit 2021 nuk sollën ndonjë ndryshim, madje forcuan pozitat e Partisë Socialiste në të gjithë vendin.
Tashmë, duke parë që nuk kanë asnjë mundësi për të marrë qoftë edhe 1 mandat deputeti, partitë e vogla kanë kërkuar sërish ndryshimin e Kodit Zgjedhor, dhe mesa duket, Rama do t’ua plotësojë këtë dëshirë, por sërish sipas interesit të tij. Madje, një paralajmërim për ndryshimin e Kodit Zgjedhor erdhi edhe nga Fatmir Xhafa, i cili tha në një intervistë se duhen ndryshime.
Media Ditari.al ka mësuar disa detaje se çfarë po “gatuhet” në kurriz të opozitës. Partitë e vogla, Edi Rama dhe disa segmente të opozitës po përgatitin terrenin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, por për ta miratuar duhen 84 vota. Këtu del në skenë një “mik apo armik” i Ramës (nuk mund ta saktësojmë), Lulzim Basha, i cili ka shprehur gatishmërinë që votat e deputetëve që e mbështesin të kalojnë në favor të ndryshimeve.
Pjesa e parë e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor do të jetë në favor të të gjithëve, pasi flitet për një system proporcional kombëtar me lista të hapura, komisione të depolitizuara dhe ndoshta votim elektronik në të gjiothë vendin. Por ka edhe një pikë tjetër që do të shtohet dhe do të favorizojë vetëm Partinë Socialiste. Për herë të parë në Shqipëri do të vendoset “primi”, që do të thotë se partia që ka marrë më shumë vota në rang kombëtar, do të ketë automatikisht 10 deri në 20 deputetë. Pra, duke parë që në 30 vite demokraci PS ka qenë pothuajse gjithmonë më e votuara, Rama i nis zgjedhjet me një avantazh shumë të madh. Kjo do të jetë edhe mënyra sesi Rama do të garantojë marrjen e pushtetit në zgjedhjet e vitit 2025, pa u munduar shumë të blejë apo manipulojë rezultatin.
Por çfarë interesi ka Basha dhe partitë e vogla?
Lulzim Basha e di që e ka të pamundur të fitojë zgjedhjet, pasi PD që ai drejton është tkurrur aq shumë sa do të jetë e vështirë të dalë edhe mbi LSI-në, Interesi i Bashës është të mbajë sa më larg pushtetit Sali Berishën, pasi nëse ky i fundit fiton zgjedhjet, PD e vulës do të shpërbëhej. Pra, Basha po bën pakt me “djallin” për të shpëtuar “kokën” e tij.
Përsa i përket partive të vogla, tashmë ato janë kthyer në lypsare, që futen në zgejdhje jo për të marrë vota dhe deputetë, por financimin nga KQZ. Nëse para disa vitesh këto parti kishin sadopak ndikim në rezultat, tashmë ato janë të papërfillshme. Kodi i ri Zgjedhor mund t’u japë mundësinë të marrin të paktën 1 deputet, që do t’u siguronte atyre financim edhe për 4 vite nga KQZ.
Të gjitha këto po bëhen pas kurrizit të opozitës dhe pa asnjë konsultim, vetëm me qëllimin që Rama të rrijë në pushtet, Basha të mbajë vulën dhe partitë e vogla të marrin “supën” që e kërkojnë me ngulm.