Prefekti i Vlorës, Vangjel Tavo është paraqitur këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Nuk dihet ende arsyeja përse Tavo është thirrur në SPAK. Ish deputeti i LSI-së është kallëzuar dy vite më parë në SPAK së bashku me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin me akuzën se kishin pastruar para, kryer korrupsion dhe shpërdoruar detyrën.
Procedimi penal ishte regjistruar që në qershor 2022, pas kallëzimit të referuar nga ish deputeti Halit Valteri. Në duart e hetuesve janë dy kontrata të LSI-së dhe Ilir Metës, me kompaninë McKeon Group në janar dhe qershor 2017, për t’i siguruar Metës takime dhe aktivitete në SHBA. Si ndërmjetëse është përdorur kompania “Dorelita Limited”, e regjistruar si offshore në Qipro, me administratorin e të cilës kishte lidhje Vangjel Tavo.