Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka hedhur dyshime sa i takon procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësorë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve.
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, Bardhi është shprehur se ka dyshime që ky proces është manipuluar.
Në këtë kuadër, ai u shpreh se Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, ka ndërhyrë në proces duke skualifikuar në shkelje të kritereve kandidatët.
Lista përfundimtare e kandidatëve nga avokatia për dy këshillat u publikua pak ditë më parë në faqen e Kuvendit, sipas raportit të hartuar nga Sekretari i Përgjithshëm të Kuvendit, Genc Gjonçaj, ku janë skualifikuar nga gara 6 kandidatë duke ndryshuar dhe listën renditëse të pikëzimit të bërë nga komisioni ad-hoc i ngritur nga Avokati i Popullit.
Në bazë të së drejtës që i njeh Kushtetuta, Gjonçaj, ka skualifikuar nga gara kandidatët Përparim Kalo, Alban Alimema, Fatos Lazimi, Entela Shehaj (Memishaj), Saimir Vishaj, Albana Tushe.
Sipas arsyetimit ata nuk plotësojnë kriteret ligjore, kryesisht pasi nuk justifikojnë punën e pandërprerë si avokat në 10-vitet e fundit apo për ‘detyrime tatimore”.
Në listën përfundimtare që iu paraqit Komisionit të Ligjeve, nga e cila do të përzgjidhen 2 anëtarët e rinj në KLGJ, në vendin e parë renditet Eris Hysi e ndjekur nga Erind Mërkuri, Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Klodian Gjermeni, Artan Reçi, Bledar Bajri dhe Saimir Kola.
Ndërsa listën e kandidatëve për dy vende në KLP e kryeson Erind Mërkuri ndjekur nga Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Artan Reçi, Bledar Bajri e Saimir Kola.