Publikohet foto e Dritan Nanos, i cili është organizatori i sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, ditën e djeshme në Tiranë.
Ngjarja u zbardh pas disa orësh, teksa u identifikuan edhe 4 autorët e ngjarjes. Ata janë Dorian Alia 32 vjeç, Drivald Alia 21 vjeç, Elton Kasaj 33 vjeç dhe Romario Tabaku 26 vjeç. Ky i fundit ka larguar tre dhunuesit nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë Dritan Nano, ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor.
Avokati Sokol Mëngjesi vijon në monitorim intensiv në reanimacion, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dhunimi i avokatit Mëngjesi dyshohet se ka ndodhur për shkak të detyrës. Avokati Sokol Mëngjesi ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në Shkallë të Parë dhe në Apel një familje që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë, proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij.
Por, një nga tetë pronarët e pronës, Dritan Nano, nuk ka pranuar që të respektojë kontratën me studion ligjore të avokatit. Ai e ka kërcënuar fillimisht avokatin që të tërhiqet nga kërkesat e tij, por ky i fundit nuk ka pranuar.
Nano ka porositur 4 të rinjtë që ta dhunojnë, teksa këta ë fundit e kapën në befasi mëngjesin e djeshëm.
