Komisioni Qendor i Zgjedhjeve do të kërkojë verifikim të thelluar nga Prokuroria e Përgjithshmë për kryetarin e Bashkisë së Libohovës, Leonard Hide.
Ky i fundit dyshohet se nuk ka kryer deklarim të saktë në formularin e vetëdeklarimit në kuadër të ligjit për dekriminalizimit. Sipas KQZ, për Hiden është kërkuar informacion nga zyra e gjendjes gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe rezulton se kandidati në fjalë nuk është i dënuar me vendim penal të formës së prerë.
Ndërkohë Partia Demokratike me anë të shkresës nr. 1297, datë 16.05.2024 informoi KQZ-në se Leonard Hide është hetuar nga SPAK dhe dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme pasi dyshohet se në kohën që ka pasur detyrën e shefit të seksionit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës, ka lejuar përkundrejt përfitimit, kultivimin e bimëve narkotike.
Rikujtojmë se të mërkurën, Hide u paraqit në SPAK.
Leonard Hide akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për shpërdorim detyre, gjatë periudhës që ka qenë shef krimesh në komisariatin e Gjirokastrës (para se të kandidonte për kryetar Bashkie i Libohovës në lokalet e 14 Majit 2023) dhe të fitonte mandatin nën logon e Partisë Socialiste.
Hetimet për rastin janë kryer nga Prokuroria e Gjirokastrës, që ka pasur në qendër kultivimin e kanabisit. Sipas hetimeve, Hide, si drejtues i policisë, ka shpërdoruar detyrën duke lejuar kultivimin e bimëve narkotike.