Rama shpërndan titujt e pronësisë në Himarë: Unë dhe nëna ime s’kemi kërkuar asnjë cm tokë! Ju jeni njësha për politikë

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Himarë, ku ka nisur shpërndarjen e 437 titujve të pronësisë në zonat më problematike të gjithë Shqipërisë.

Ai u shpreh se problemet i ka sjellë pushteti i dikurshëm, teksa shtoi se do të bëjë të njëjtën gjë edhe me pronat në veri të vendit.

“Do bëj të pamundurën njësoj si për Tropojën, Himarën, Thethin, Malësinë e Madhe, Kukësin dhe Sarandën për çështjen e pronësisë. Kjo çështje ka të bëjë me regjistrimin e pronave pas ndryshimit të sistemit, në shumë zona nuk është pranuar ligji 7501. Ka propagandë sikur ne duam të marrim prona të banorëve dhe për t’ua dhënë të ashtuquajturve oligarkë. Nuk ka asnjë qëllim apo prapamendim për Himarën. Nuk ka asnjë rast që toka t’i jetë marrë një pronari nga shteti. Me AMTP-të është bërë lojë e ndyrë kriminale, ku janë shfaqur si pronarë individë të lidhur me pushtetin e atëhershëm, që i kanë vënë trashëgimtarët përpara zgjedhjes që të pranojnë të shesin pronën e tyre, shitja kishte mbi kokë kërcënimin që nëse nuk e shet ti nuk ke për ta gëzuar”, tha Rama.

Ai ka përmendur edhe origjinën e tij himariote, ndërsa tha se as ai dhe as nëna e tij e ndjerë nuk kanë kërkuar kurrë asnjë centimetër tokë nga ajo që iu takon. Sipas Ramës, himariotëve nuk ua hedh dot askush, pasi janë njësha për politikë.

“E njoh mirë unë këtë zonë, e njoh, e kam në gjak, ia di të tëra historitë. Mund të flisni ça të doni me ndonjë që vjen nga Durrësit dhe nuk di se ça bëhet. I di dhe konfliktet brenda për brenda familjeve. Unë vetë dhe e ndjera ime më, nuk kemi kërkuar kurrë asgjë. Ju e dini mirë se ku e kemi rrënjën këtu, por nuk kemi kërkuar asgjë. Asnjë metër katror. Por ama nuk është se nuk e di historinë, dhe të pronës sonë atje.

Himariotët janë himariotë, dhe pikë. Secili i di vetë se ku i ka rrënjët. Ne nuk i ndajmë as shqiptarët, as në veri as ju dhe jo të ndajmë himariotët. Kush ju thotë diçka tjetër, shiheni mirë se pse e thotë. Shqiptarëve s’ua ha qeni shkopin, se nuk ua fut njeri në politikë. Kanë pasur të bëjnë me lloj lloj marifetesh. Mes shqiptarëve, himariotët janë njisha, politikë jo lokale, por globale”, tha Rama.