Konferenca e Kryetarëve ka miratuar vetëm me votat e PS rezolutën anti-korrupsion, të prezantuar pak ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, ndërsa të hënën kalon në seancën plenare.
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ishte kreu i grupit parlamentar të PS, i cili propozoi datën 27 maj 2024 për çuarjen në seancë në Kuvend të draft-rezolutës, ndërkohë nuk munguan as debatet mes palëve.
Deputetja Jorida Tabaku dekaroi se duhet të ketë një debat më të gjerë përpara se kjo rezolutë të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë, por u kundërshtua nga deputetët socialistë, të cilët shpejtuan ta miratojnë me votat e tyre.
Por çfarë përmban rezoluta anti-korrupsion e Partisë Socialiste?
Rezoluta i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë për të kryer disa detyra, por që më shumë ishte një ftesë për opozitën për të krijuar një Komision të Posaçëm Parlamentar, nëpërmjet të cilit do të mund të bëhen ndryshimet e synuara ligjore.
Ka pak kohë që mazhoranca dhe opozita, ajo e Rithemelimit, kanë filluar bisedimet shumë çështje, teksa përflitet se të dyja po diskutojnë për ndërhyrje në drejtësinë e re, pas disa arrestimeve të bujshme nga SPAK.
Pushteti që ka fituar SPAK duket se ka frikësuar politikën në Shqipëri, që tashmë e sheh veten të rrezikuar për aferat e ndodhura ndër vite, që po zbulohen nga dita në ditë, teksa qindra zyrtarë e ish-zyrtarë, deri te ministrat, janë vënë në pranga.
Burime për Media Ditarin bëjnë me dije se në krye të Komisionit të Posaçëm Parlamentar, të parashikuar në rezolutë, do të vendoset Fatmir Xhafaj, i cili ka besimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në vend. Ai do të drejtojë Komisionin që do të bëjë ndryshimet ligjore që do të synojnë t’i lidhin duart Prokurorisë së Posaçme, që është kthyer në problem konstant për pushtetin dhe jo vetëm.
Mes opozitës dhe mazhorancës po diskutohet edhe ndryshimi i disa ligjeve që deri më sot kanë futur në burg shumë zyrtarë. “shkelja e barazisë në tendera” po mendohet të hiqet nga Kodi Penal, ndërkohë që do të ndryshohet edhe vepra penale “shpërdorimi i detyrës”, duke kufizuar mundësitë e prokurorëve të SPAK për ndjekjen penale ndaj zyrtarëve të lartë dhe punonjësve të administratës.
Dakordësia mes mazhorancës dhe opozitës ka nisur që prej fundit të aksionit opozitar, teksa u vërtetua edhe me miratimin e Amnistisë Penale, që ndryshe nga çfarë u propagandua deri ditën e fundit, u dha lirinë edhe të dënuarve nga GJKKO.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, duket se e ka ndjerë rrezikun e politikës dhe shpeshherë ka bërë thirrje që prokurorët e SPAK të mund të kandidojnë për një mandat të dytë, teksa ka denoncuar edhe mungesën e bashkëpunimit nga ana e institucioneve.
Sot, drejtësia e re duket më e rrezikuar se kurrë!