Largimi i shqiptarëve është një dramë për vendin tonë, ku qytetet po zbrazen ndërsa në shkolla sa vjen e zvogëlohet numri i nxënësve.
Trendi i largimit të të rinjve e ka renditur Shqipërinë të dytën në botë për nivelet më të larta të emigracionit.
Sipas të dhënave të INSTAT nga viti 2011 deri në vitin 2022 kanë emigruar nga vendi mbi 512 mijë persona, ku rreth 70 për qind e tyre ishin të rinj.
Emigracioni i të rinjve është një plagë që do të jetë prezent edhe në vitet në vijim, sipas anketave. Sakaq politikat e Shqipërisë për fuqizimin e të rinjve nuk shoqërohen me mbështetje financiare.
Në përgjithësi, popullsia shqiptare është në rënie, kryesisht për shkak të emigrimit të konsiderueshëm te të rinjve dhe rënia e lindjeve.
Por problematikë vijon të mbetet edhe migrimi i brendshëm që po boshatis qarqet shqiptare.
Shumica e qarqeve të vendit, 9 prej 12 gjithsej janë duke vuajtur rënien e popullsisë edhe nga emigrimi i brendshëm, përveç ikjes jashtë vendit dhe rënies së lindjeve. Po sipas INSTAT, popullsia e 9 rretheve iku drejt Tiranës dhe Durrësit më 2022.
E trishtë është situata në Mallakastër, ku banorët e saj kanë zgjedhur të largohen për një jetesë më të mirë. Si shumë shqiptarë të tjerë, ata kanë bërë valixhet dhe janë shpërngulur, për shkak të pamundësive financiare. Ditën e sotme, Festa e Abetares u zhvillua vetëm me 5 nxënës në fshatin Visokë të Mallakastrës, duke ngritur alarmin për shpopullimin masiv.
Edhe pse sot do të duhej të ishte një ditë feste, panorama që ofron është krejt ndryshe.
Situata është dramatike edhe arsimin e lartë. Numri i diplomave në sistemin universitar shënoi rënie drastike në vitin akademik 2022-2023, duke sinjalizuar se ekonomia e vendit do të përballet me mungesë ekspertësh pothuajse në të gjitha fushat në të ardhmen e afërt.
Të dhënat e zyrtare të INSTAT referojnë se në vitin në vitin akademik 2022-23, u diplomuan në 13,808 studentë në ciklin e studimeve “Bachelor” me rënie vjetore 13,8 për qind.
Se sa shqiptarë të tjerë pritet të largohen kjo nuk dihet, por ajo çfarë vihet re është një tendencë e të rinjve të cilët nuk e shohin të ardhmen në Shqipëri, pasi kjo e fundit nuk ka se çfarë t’u ofrojë.