Nga Sllavomir Sierakovski “Project Syndicate”
Fjalimet e fundit nga presidenti francez Emanuel Makron dhe ministrit të Jashtëm polak Radek Sikorski, tregojnë se sa shumë ka ndryshuar mendimi i udhëheqjes evropiane, që kur Rusia pushtoi në shkallë të gjerë Ukrainën në shkurtin e vitit 2022.
Teksa kancelari gjerman Olaf Sholc, është dakord me thelbin e mesazhit që synon të përhapë Makron, mund të jemi shumë pranë një politikë të jashtme të Bashkimit Evropian më dinamike dhe koherente. Vetë Makron është përpjekur shumë në këtë aspekt.
Në vitin 2019, ai paralajmëroi përmes një deklaratë që bëri bujë në media, se NATO “kishte pësuar një vdekje celebrale”. Ndaj ai bëri thirrje për një autonomi më të madhe strategjike për Evropën, duke madje kundërshtuar hapur politikat e SHBA-së (dhe jo vetëm të administratës Trump).
Ndërsa shumë zyrtarë dhe analistë menduan se e kishte gabim, diagnoza e tij e gabuar, pati megjithatë disa pasoja pozitive. Tek e fundit, edhe nëse NATO nuk kishte vdekur, ajo ishte më së paku në koma, sepse shumica e anëtarëve evropianë të saj ishin de fakto të çarmatosur që nga shembja e Bashkimit Sovjetik.
Prandaj kishte ardhur koha që Evropa të mësonte të mbrohej me forcat e veta. Që nga ajo kohë, pushtimi rus i Ukrainës (pas pushtimit të një pjese të territorit ukrainas në vitin 2014) e ka ringjallur NATO-n. Madje ka çuar në zgjerimin e aleancës, me shtimin së fundmi të Finlandës dhe Suedisë.
Për më tepër, Evropa ka nisur të hartojë politikën e saj të përbashkët në mbrojtje, duke blerë kolektivisht armë, duke u koordinuar në një mënyrë më efikase, dhe duke u përshtatur me Shtetet e Bashkuara në mbështetjen e saj ushtarake dhe ekonomike që i jep Ukrainës.
Mesazhi kryesor i fjalimit të fundit të Makron ishte i drejtpërdrejtë:“Evropa jonë është e vdekshme. Ajo mund të vdesë!”. Kjo është në një linjë me paralajmërimet e vetë kryeministrit polak Donald Tusk, se Evropa ndodhet aktualisht në “epokën e para-luftës”.
Për më tepër, duke e përshkruar Evropën si një projekt të përbashkët liberalo-demokratik, që shtrihet nga Lisbona në Odesë, Makron i dha një shenjë të fortë anëtarësimit përfundimtar të Ukrainës në Bashkimin Evropian. Evropa përballet me kërcënime, jo vetëm për sigurinë e saj (nga Rusia), por edhe për zhvillimin e saj ekonomik.
Kjo e fundit për shkak të ndërprerjeve në tregjet globale të energjisë, politikave proteksioniste dhe industriale të SHBA dhe Kinës, si dhe faktorëve të tjerë. Në përputhje me tendencën e tij për të nisur projekte revolucionare, Makron ka bërë tani thirrje për një dyfishim të buxhetit të BE-së, me një rritje të konsiderueshme në shpenzimet publike për Inteligjencën Artificiale, llogaritjen kuantike, teknologjitë hapësinore, bioteknologjinë dhe energjinë.
Ky propozim do t’i shqetësojë me siguri gjermanët, sikurse janë edhe idetë e Makron për krijimin e “kampionëve” në mesin e korporatave evropiane, vendosjen e një “preference evropiane” në blerjen në fushën e mbrojtjes, dhe caktimin e një mandati shtesë për Bankën Qendrore Evropiane për të mbështetur rritjen ekonomike, përveç luftës ndaj inflacionit.
E megjithatë, diçka ka ndryshuar në marrëdhëniet franko-gjermane të përkeqësuara së fundmi. Menjëherë pas fjalimit të Makron, Sholc shkroi në Tëitter: “Franca dhe Gjermania duan që Evropa të mbetet e fortë. Fjalimi juaj përmban ide të mira se si mund të arrihet kjo… Së bashku ne po e çojmë BE-në përpara:politikisht dhe ekonomikisht. Për një BE sovrane dhe novatore. Rroftë Evropa!”
Në fjalimin e tij para Sejmit (parlamentit) polak më 25 prill, Sikorski shkoi edhe më tej. Ashtu si Makron, edhe ai beson se “Bashkimi Evropiane duhet të bëhet një aktor gjeopolitik i barabartë me fuqitë e tjera ndërkombëtare”, teksa ka bërë thirrje për reforma për ta larguar Këshillin Evropian nga vendimmarrja rreptësisht unanime.
“Polonia dhe populli polak, meritojnë të jenë një nga liderët në procesin e integrimit të mëtejshëm evropian. Sipas përkufizimit, një udhëheqës është dikush që mund t’i arrijë qëllimet e tij në një mënyrë që të fitojë mbështetjen e të tjerëve. Dhe Polonia e ka këtë potencial”-theksoi ai.
Në rast se fjalimet e Makron dhe Sikorskit ishin në të njëjtën linjë, kjo ndodh pjesërisht sepse politika e jashtme polake, po kthehet më në fund të jenë në përputhje me atë të aleatëve të saj më të ngushtë. Konsensusi i gjerë transatlantik, bazohet në moton se politika e mbrojtjes duhet të qëndrojë mbi 2 shtylla:amerikane dhe atë evropiane.
Këtë gjë e ka kuptuar edhe Gjermania, e cila tashmë është mbështetësja më e rëndësishme evropiane e Ukrainës. Për Poloninë (dhe shtetet baltike), ndryshimi i qasjes strategjike të Evropës, është padyshim një zhvillim i mirëpritur, duke pasur parasysh afërsinë e tyre me Rusinë.
Prandaj ishte kënaqësi të dëgjoje Sikorskin të përmendte në fjalimin e tij, në mënyrë të përsëritur dhe haptazi afrimin polako-gjerman. Po ashtu, ai përshkroi prioritetet e Polonisë për presidencën e saj të BE-së në gjysmën e parë të vitit 2025. Ajo do të fokusohet tek siguria dhe lufta mbi-kombëtare kundër populizmit.
Polonia gëzon shumë besueshmëri dhe fuqi të butë për çështjen e dytë, duke pasur parasysh përvojën e saj të kohëve të fundit, me durimin për disa vite të qeverisë jo-liberale të Partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS), përpara se votuesit ta refuzonin atë me vendosmëri në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar.
Rivendosja e normalitetit që nga ajo kohë, është përjetuar si një revolucion i ngadaltë, sepse elektorati polak mbeti i ndarë në dy pjesë, që kishin politika të jashtme të kundërta. Edhe “Republika e Dytë” e Polonisë (1918-39), e cila u bashkua në fund të Luftës së Parë Botërore nga copat e shekullit XVIII të marra nga Prusia dhe perandoritë Habsburgase dhe Ruse, nuk kishte politika të tilla kundërshtuese.
Ndërsa fraksionet ndërluftuese polake i këputën krahët njëri-tjetrit, pikëpamjet e tyre strategjike ishin plotësuese. Më vonë, të gjithë ranë dakord se lideri i socialistëve, Jozef Pilsudski, i dha Polonisë kufirin e saj lindor.
Ndërkohë udhëheqësi i nacionalistëve Roman Dmovski, i cili mori pjesë në Konferencën e Versajës, i dha vendit kufirin perëndimor. Pavarësisht se çfarë mund të mendojë dikush për Dmovskin, ai kishte një koncept strategjik, dhe nuk ndoqi thjesht një politikë të jashtme plot ankesa, siç ka bërë vitet e fundit lideri i PiS, Jarosllav Kazinski, përkundrejt Gjermanisë.
Historikisht, kur gjermanët ishin dukshëm kërcënimi më i madh për Poloninë, kërkimi i dialogut me Rusinë kishte një lloj kuptimi (sot është e çuditshme të mendosh që e djathta polake ishte tradicionalisht pro-ruse). Sot rolet janë të kundërta:Rusia përfaqëson kërcënimin kryesor, ndërsa Gjermania është një mike dhe partnere potenciale për Poloninë.
Të vazhdosh të mbështetesh tek klishetë e viteve 1930 mbi gjermanët, nuk është vetëm anakronike; është një sjellje idiote e rrezikshme. Harta në të cilën vepron Kazinski ekziston vetëm në kokën e tij. Mesazhet e reja që vijnë nga Evropa, parashikojnë një riaktivizim të Trekëndëshit të Vajmarit pas vitit 1991 (Francë, Gjermani dhe Poloni).
Por kjo nuk do të jetë më vetëm një aleancë rajonale apo simbolike. Përkundrazi, nëse do të rezistojë gjatë, do të shndërrohet në motorin e ri të BE-së, si dhe në një shtyllë të re të mbështetjes për sovranitetin e Polonisë.
Shënim:Sllavomir Sierakovski, themeluesi i lëvizjes “Krytyka Polityczna” në Poloni.