Shqipëria në krizë për fuqi punëtore, qeveria do sjellë 40 mijë të huaj

Emigracioni vijon të jetë një luftë e heshtur për vendin tonë. Në një vëzhgim të thjeshtë në rrugët e kryeqytetit sheh njoftime ku kërkohen punonjës, për shkak se një numër i madh kanë emigruar për një jetë më të mirë drejt Europës.

Ka shumë arsye se përse shqiptarët, janë larguar nga vendi ndërsa rikthimin e mendojnë shumë larg, duke zbrazur shume qytete të vendit dhe sidomos zonat rurale.

Normat e emigrimit të rinjve në Shqipëri në 10 vitet e fundit kalojnë edhe vendet që kanë përjetuar lufta të përgjakshme, atyre që jetojnë në diktuara ekstreme dhe vendeve tmerrësisht të varfra.

Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se nga viti 2013 në 2023 në vendet e Bashkimit Europian kërkuan azil 64.2 mijë shqiptarë nën 18 vjeç.

Ndërkohë në vitin 2023, Shqipëria ishte vendi i tretë në botë për aplikimet për azil.

Hapësirat e lëna bosh nga të rinjtë në tregun e punës kanë detyrur qeverinë që të marrë masa, për të sjellë në Shqipëri punëtorë të huaj, sidomos në periudhën e verës.

Mësohet se qeveria është duke bërë negociata me një shtet të huaj, për të marrë 40 mijë punëtorë të kualifikuar.  

Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i përgjithshëm i punësimit dhe arsimit professional në Ministrinë e Arsimit Albin Gega.

Megjithatë nuk dihet se kush është shteti, me të cilën po negocion qeveria jonë.  Ajo që dihet deri tani është se punonjësit do të vijnë nga një vend, ku Shqipëria nuk ka shërbyer si transit për kalim e emigrantëve të paligjshëm drejt vendeve të Perëndimit.

Një pjesë e mirë e tyre rreth, 15 mijë, do të punësohen në sektorin e manifakturës ndërsa pjesa tjetër do të punësohen në turizëm dhe sektorët e tjerë të ekonomisë të prekur nga kriza e punonjësve.

Ndërsa qeveria nuk ka krijuar kushtet e duhura që të mbajë në Shqipëri njerëzit e saj, tashmë hedh syte drejt punëtorëve të huaj, për të plotësuar krizën e fuqisë punëtore.