Arrestimi i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit, është kthyer në një çështje shumë serioze për Greqinë, pasi zyrtarët grekë jo vetëm që kanë kërkuar lirimin e Belerit, por edhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.
Sipas mediave greke, kryetari i Komitetit të Asociimit dhe Stabilitetit të BE-së, Manolis Kefalogiannis, është takuar në qelinë ë burgut të Tiranës Fredi Belerin, përpara se të shkonte në takime dhe me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe relatoren e Raportit për procesin integrues të Shqipërisë, eurodeputeten Isabella Santos, të cilat i informoi për ndalimin sipas tij të padrejtë të Belerit.
Ai u ka kërkuar zyrtareve të larta të BE-së që të ndërhyjnë për këtë vendim të padrejtë ndaj Fredi Belerit, teksa ky i fundit qëndron në burg prej 12 Majit, pasi u arrestua së bashku me një bashkëpunëtor për vjedhje votash.
Ndërkohë, Bashkia e Himarës vijon punën, ku dy ditë më parë u bë edhe konstituimi i Këshillit Bashkiak, kryetari i të cilit u zgjodh socialisti Dhimitër Kapaj. Mbledhja e Këshillit u zhvillua nën tension, teksa të pranishëm ishin edhe ambasadorja greke në Shqipëri, Konstantina Kamitsi së bashku me kreun e PBDNJsë, Vangjel Dule.
Tashmë pritet vendimi që do të marrë Gjykata e Posaçme mbi Fredi Belerin, të cilit i ka refuzuar disa herë kërkesën për masë sigurie më të lehtë. Në rast se Beleri do të shpallet fajtor, atëherë në Himarë do të ketë zgjedhje të reja, ashtu si në Rrogozhinë dhe Kukës.