Nga Melissa Sartore “National Geographic”
Bogotá, Kolumbi – Një vajzë kolumbiane bërtet nga dhimbja dhe frika, teksa përjeton “zotërimin demoniak” gjatë një rituali ekzorcizmi në një kishë lagjeje. Qindra të krishterë besimtarë, që i përkasin grupeve anonime, mblidhen çdo javë në kishat në periferi të qyteteve për të recituar lutjet e çlirimit dhe kryer ekzorcizma.
Shumica e njerëzve e lidhin ndoshta fjalën “ekzorcizëm” me imazhet e priftërinjve katolikë të rrethuar nga qirinj vezullues, që të mbështetur nga fuqia e Krishtit dhe në praninë e një ere të fortë, largojnë krijesat demonike dhe shpirtrat e këqij nga një person, apo në disa raste nga një vend i caktuar.
Në filma si “The Exorcist” i vitit 1973, ne i shohim ata të përdorin ujin e shenjtë, lutjen dhe madje arsyen për të larguar forcat e liga. Dhe të gjitha këto, ndërsa para syve të shikuesit shpaloset beteja epike midis së mirës dhe së keqes. Por a funksionon vërtet kështu?
Ekzorcizmat kryhen edhe në realitet, dhe mund të mos jenë shumë larg asaj që do të na kërkonte të besojmë kultura popullore. Për shembull, filmi i vitit 2023 “Egzorcisti i Papës”, bazuar në kujtimet e vërteta të priftit dhe ekzorcistit katolik, Atë Gabriele Amort, ofron një version shumë kinematografik të këndvështrimit të një eksperti të vërtetë mbi këtë çështje.
Duke u fokusuar tek aspektet e frikshme të ekzorcizmit bashkëkohor, ajo që nuk na ofron shprehja e kulturës popullore – pjesë e së cilës është edhe filmi “Egzorcisti i Papës” – është një përshkrim i qartë se si lindi në të vërtetë praktika e ekzorcizmit.
Si kryheshin ekzorcizmat e parë?
Ato që janë kryer nga Kisha Katolike janë ndoshta më të njohurat. Por thelbi i çdo ekzorcizmi, është lufta e vazhdueshme kundër së keqes. Megjithatë, përkufizimi i “të keqes” është i lakueshëm dhe varet nga sistemi i besimit, praktikat fetare dhe konteksti.
Prandaj e keqja mund të marrë formën e një demoni, një papastërtie shpirtërore apo një thjeshtë një tundimi. Ekzorcizmi, si një armë për të luftuar të keqen, çliron, pastron ose mbron nga çdo forcë e keqe në veprim. Në mijëvjeçarin I Para Krishtit, në Mesopotami, ašipu – priftërinjtë magjistarë – i mbanin larg dhe i përzinin demonët që shkaktonin sëmundje dhe kaos.
Si shërues shpirtëror, ata ishin personalitete shumë të vlerësuara që përdornin hamajli, kryenin rituale të hollësishme dhe kur ishte e nevojshme, përfshinin në veprimet e tyre figura ndihmëse demonike. Fjala e lashtë greke daimon , nga e cila rrjedh fjala moderne “demon”, tregonte shpirtrat e ngjashëm me Perëndinë dhe forcat e mbinatyrshme.
Daimon-ët mund të jenë të mirë ose të këqij, ndërsa demonët janë gjithmonë forca të liga që duhen dëbuar. Historiani i shekullit I Pas Krishtit, Josephus, tregoi historinë e Eleazarit, një njeri që çliroi të tjerët nga një demon, duke e detyruar të dilte nga vrimat e hundës dhe duke thirrur vazhdimisht emrin e mbretit Solomon, duke dëshmuar kështu një formë ekzorcizmi edhe në traditën hebraike.
Me zgjerimin e Krishterimit në 3 shekujt e parë Pas Krishtit, çështjet e konsoliduara të ekzorcizmit gjetën një bazë edhe më të fortë. Ato u bënë një mjet për t’i bashkuar besimtarët e krishterë dhe për të rikthyer besimin e tyre në vazhdën e persekutimit fetar. Pas përhapjes së Krishterimit, paganizmi mori një konotacion të keq, duke i shndërruar besimet e jo të krishterëve në diçka që duhej ekzorcizuar.
Rrjedhimisht, heqja dorë nga paganizmi si një shprehje e së keqes, u shndërrua në detyrimin për t’u pagëzuar dhe për t’u bërë një i krishterë besnik. Pra rënia nën ndikimin e një besimi pagan, ishte diçka e ngjashme me zotërimin nga shpirtrat demoniakë.
Në këtë kontekst, ekzorcizmi ishte një mekanizëm vullnetar i përdorur për të forcuar besimin dhe komunitetin e krishterë. Ekzorcizmi shërbeu për të legjitimuar Krishterimin. Për këtë arsye, në shekullin e IV Pas Krishtit, ai gjeti një përdorim të gjerë në kuadër të përgatitjeve për pagëzimin.
Të konvertuarit dhe të krishterët aspirues, i nënshtroheshin çdo ditë ekzorcizmit herët në mëngjes në përgatitje për pagëzimin. Në ditën e sakramentit, peshkopi e “largonte” të keqen nga personi i pagëzuar, duke kryer ritin e posaçëm. Pak para se të pagëzohej, subjekti lyhej me një vaj të veçantë që ishte i ekzorcizuar.
Përtej synimit të pagëzimit, klerikët e praktikonin ekzorcizmin duke vendosur duart mbi të pushtuarit, dhe duke i urdhëruar shpirtrat e këqij që të largoheshin nga trupi i tyre. Të krishterët e antikitetit të vonë dhe Mesjetës së hershme mund të vetë-eksorcizoheshin, duke thirrur si ndërmjetës një shenjtor, duke shkuar në një faltore, dhe duke kërkuar ndihmën e një entiteti të shenjtë për t’u afruar me Zotin dhe për t’u larguar nga e keqja.
Pastaj erdhi Mesjeta
Rreth shekullit XII-të, ekzorcizmi pësoi një transformim domethënës. Ky ndryshim u nxit nga forcimi i sekteve heretike të Krishterimit. Grupime të tilla si katarët, besonin në ekzistencën e dy parimeve të kundërta të së mirës dhe së keqes, gjë që ishte një fyerje ndaj doktrinës dhe hierarkisë katolike.
Për besimtarët katolikë ortodoksë – dhe mbi të gjitha, për udhëheqjen katolike – kjo herezi paraqiste një avantazh të ri të ekzorcizmit:një mekanizëm thelbësor përmes të cilit të krishterët mund të çliroheshin nga besimet heretike mëkatare që po lindte ajo epokë.
Përkushtimi i dikujt ndaj Krishterimit, mund të zyrtarizohej nëpërmjet ekzorcizmit, dhe lutjet personale morën funksionin e formave të “auto-ekzorcizmit”. Për më tepër, teologë si Shën Thoma Akuini (1225-1274) trajtuan tema të tilla si demonologjia, duke ndihmuar kësisoj në përcaktimin dhe qartësimin e qëllimit të këtij riti.
Botimi i librit të parë mbi ekzorcizmin, rreth vitit 1400, u pasua nga një epokë krize në Kishën Katolike, e cila do të zgjaste me dekada, madje shekuj. Reforma protestante i ndau të krishterët:nga këndvështrimi i Vatikanit, kjo do të thoshte se “tjetri” i demonizuar ishte ndoshta më i pranishëm se kurrë.
Për rrjedhojë, përndjekjet si Inkuizicioni morën një karakter të theksuar ekzorcist. Në këtë kontekst, u autorizua nga Kisha Katolike riti i parë zyrtar i ekzorcizmit. Në vitin 1614 u krijua rituali romak i ekzorcizmit, i cili mbeti në thelb i pandryshuar deri në gjysmën e parë të shekullit XX-të.
Kjo përfshinte De Exorcismis et Supplicationibus Quibusdam (Ritin e ekzorcizmit dhe lutjeve për rrethana të veçanta), një dokument që përshkruan ritin e ekzorcizmit. Ndërkohë pas reformave të zbatuara nga Këshilli i Dytë i Vatikanit (1962-1965), u rishikua pjesa e fundit e ritualit romak.
Versioni i përditësuar u publikua në vitin 1999. Struktura dhe formula e versioneve të viteve 1614 dhe 1999 të De Exorcismis et Supplicationibus Quibusdam janë shumë të ngjashme, megjithëse i dyti thekson lidhjen midis pagëzimit dhe ekzorcizmit. Prandaj ekzorcizmat bashkëkohorë vazhdojnë pasqyrojnë jo vetëm rite të lashta, por në shumë mënyra ato e kanë mbyllur rrethin.
Por ku përfaqësohet e gjitha kjo në kulturën popullore? Filmat janë padyshim një mënyrë argëtuese dhe katartike për t’i parë interpretimet moderne të ekzorcizmit. Po për të njohur historinë e vërtetë është gjithmonë më mirë t’i referohemi dogmës.