Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez po konsideron dorëheqjen, për shkak të akuzave ndaj gruas së tij për korrupsion.
Ndërkohë, homologu i tij shqiptar, Edi Rama, me anë të një mesazhi në rrjetet sociale i ka dhënë mbështetjen e tij, duke i thënë të mos dorëzohet sepse në fund e vërteta do të mbizotërojë.
“I dashur@sanchezcastejon! Është privilegj të kem miqësinë tuaj dhe mundësinë për të punuar me ju në këto kohë të trazuara për vlerat dhe parimet në të cilat besojmë dhe luftojmë. Të kesh ty si udhëheqës të lëvizjes sonë socialiste do të thotë të udhëhiqemi në përpjekjet tona nga një njeri me mençuri dhe integritet të pamohueshëm. Ju keni të gjithë mbështetjen tonë në këto kohë ku më shumë se kurrë nevojitet qëndrueshmëri ndaj gënjeshtarëve, shpifësve dhe manipuluesve të fakteve nga skajet e sferës politike. Është nder të qëndroj pranë jush. Arritja juaj e presidencës së qeverisë përmes zgjedhjeve të ndershme dhe legjitime, dhe falë politikës së ndershmërisë, solidaritetit dhe vullnetit të pamëshirshëm për dialog që keni dhënë për kombin tuaj, është një arsye bindëse për të vazhduar luftën. Për Spanjën, për Evropën dhe për të gjithë ne. Kurrë mos u dorëzo, kurrë mos u dorëzo, mos dysho kurrë se e vërteta do të mbizotërojë miku im i dashur”, shkruan Rama.
Me sa duket, ndryshe nga kryeministri ynë, Pedro Sanchez nuk i qëndron parimit “përgjegjësi individuale”, por konsideron largimin edhe vetëm me akuzat e ngritura dhe të paprovuara ende.
Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar as që e ka menduar largimin, pavarësisht skandaleve të njëpasnjëshme të qeverisë, ku qindra miliona euro jepen nga taksat e qytetarëve në xhepat e oligarkëve dhe të miqve të ministrave.
Ky është ndryshimi mes demokracisë në Spanjë dhe pseudo-demokracisë në Shqipëri, që na ka mbajtur dhe do të na mbajë për vite të tëra larg Bashkimit Europian.