Punonjësit e Task Forcës janë kërcënuar ditën e sotme nga një person i armatosur, i cili ishte në kërkim nga policia.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Buzaishtë të Pogradecit ku punonjësit e Task Forcës kishin shkuar për verifikimin e personave me ndihmë ekonomike, por shtetasi Spartak Çela u ka dalë përpara dhe i ka kërcënuar.
Çela si fillim ka debatuar me shoferin e Task Forcës dhe më pas kanë ndërhyrë edhe persona të tjerë, por fill pas konfliktit ju ka kërkuar falje me pretendimin se kishte menduar që janë persona të tjerë. Më pas ai është larguar në drejtim të paditur.
Pas verifikimeve rezultoi se prej dy vitesh Çela ishte në kërkim policor për vrasje të mbetur në tentativë. Ai ka plagosur shokun e tij në një lokal dy vite më parë dhe që prej atij momenti është shpallur në kërkim.
Ai ka mundur të arratiset sërish ndërsa policia po punon për kapjen e tij.