Hije skandali me provimin e pranimit në Magjistraturë, denoncimi i studentëve: Listës fituese iu shtuan edhe 42 emra

Studentët që kanë dhënë ditën e djeshme provimin e parë për tu pranuar në Shkollën e Magjistraturës kanë bërë një denoncim, se listës së fituesve i janë shtuar edhe 42 emra të tjerë.

Ata përmes një peticioni ngrenë shqetësimin për atë që po ndodh në shkollën që përgatit gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm.

Provimi i kandidatëve, pasi është dorëzuar nga këta të fundit, është kontrolluar me scantron dhe në prezencën e të gjithëve është shpallur edhe lista me 79 fitues.

Por 24 orë më vonë kur është shpallur lista zyrtare ka rezultuar se nuk ishin më 79 fitues, por 121 dhe studentët thonë se janë rikorigjuar tezat pa prezencën e pjesëmarrësve. Për këtë arsye, studentët kërkojnë anulimin e konkursit.

Nga Drejtori i Shkollës z. Rakipi u pranua ditën e sotme se procesi i korrigjimit ka pasur probleme pasi pajisja scantron nuk ka funksionuar dhe po në datën 22 prill pasi janë larguar kandidatët janë korrigjuar edhe njëherë tezat pa prezencën e pjesëmarrësve dhe lista përfundimtare ka rezultuar me katër pikë plus për kandidatët fitues duke çuar listën përfundimtare fituese në 121 kandidatë. Ky fakt ka cenuar rëndë procesin dhe transparencën e cila parashikohet në Rregulloren e Brendshme të Shkollës. Sa më sipër kërkojmë anullimin e provimit të pranimit”, thuhet në peticion.

Sipas studentëve ky manipulim ka si synim që në listën fituese të përfshihen emra që nuk e meritojnë të jenë aty.

Rasti merr përmasa edhe më të mëdha po të kihet parasysh rëndësia që ka kjo shkollë për prokurorët e gjyqtarët e rinj, ata që do të marrin emërime dhe do të japin drejtësi.

Pak kohë më parë, Shkolla e Magjistraturës ka bërë me dije se duke filluar nga data 1 Shkurt s’do të jetë më kriter mesatarja e aplikantëve.

Me një njoftim të rëndësishëm Shkolla e Magjistraturës informoi se ka qenë Këshilli Drejtues i Shkollës, i cili ka vendosur të heqë kërkesën për notë mesatare mbi 8 (tetë) të lëndëve kryesore.

Njoftimi u prit me shqetësim sidomos nga studentët ekselentë, të cilët edhe pse mund të jenë më të aftët në punën e tyre, do të konkurohen për vendet e punës, nga studentë me mesatare 5-6.