Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve në qytetin e Kuçovës ka rënë pre e një grabitje gjatë natës së kaluar.
Raportohet se grabitësit janë futur brenda godinës nga njëra prej dritareve të kësaj drejtorie dhe pasi kanë shqyer arkën me levë, kanë vjedhur pagesat e ujit të pijshëm, në vlerë 2 milionë e 200 mije lekë të vjetra që ndodheshin brenda saj.
Vjedhja e kasës është pikasur nga punëtorët e kësaj drejtorie mëngjesin e sotëm, pasi kanë mbërritur në punë.
Ndërkohë pasi punëtorët kanë njoftuar policinë, kjo e fundit ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Efektivët e policisë janë duke marrë në pyetje punonjësit e kësaj drejtorie si dhe po kërkojnë gjetjen e kamerave të mundshme të bizneseve përreth kësaj drejtorie, pasi vetë institucioni nuk ka kamera, gjë që e bën të vështirë identifikimin e autorëve.