Nga Paolo Lepri “Corriere della Sera”
“Zonja” Evropë shkon në Uashington – si në filmin e Frenk Kapra kushtuar kauzave të drejta dhe forcës së demokracisë – në mesin e një të ardhmeje plot me të panjohura, të lidhura me aftësinë e Ukrainës për t’i rezistuar agresionit rus. Takimi mbahet në korrik, me shpresën se nuk është shumë vonë.
Bota e qytetëruar pret që NATO – që mblidhet pas 75 vjetësh në qytetin ku u nënshkrua Pakti Atlantik, dhe ku gjenerali amerikan Ajzenhauer mori drejtimin e një misioni historik, jo pa dritë-hijet e tij, dhe që më vonë do të dilte fitimtar – të miratojë një paketë ndihme “të qëndrueshme”.
Nëse do të mbërrijë vërtet kjo e fundit, 100 miliardë euro ndihmë gjatë 5 viteve të ardhme, mund të mbështesin seriozisht përpjekjen që po bëjnë Volodimir Zelenski dhe njerëzit e tij për të mbrojtur lirinë e të gjithëve. Siç është më se e dukshme, në lojë është një gjë me një rëndësi themelore.
Ukraina duhet të varet më pak nga kontributet vullnetare të vendeve aleate, dhe më shumë nga veprimet e koordinuara. Mbijetesa e saj si shtet është në rrezik serioz. Në këto kushte, shpresa kryesore është që vendet evropiane – brenda një Aleance që duhet të përmbahet (duke arkivuar ceremonitë e fundit të Brukselit) nga festimi i ditëlindjeve me tone aq triumfale – të bëjnë një hap në aspektin e cilësisë.
Pra po flasim për realizimin e mundësive që ofrohen, si dhe për të hartuar një skenar që të jetë i pamundur të çmontohet edhe në rast se rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane në nëntor, do të karakterizohet nga një anulim i vlerave të solidaritetit, të brendshëm dhe të jashtëm.
“Pasja e një NATO-je më të fortë në mbështetje të Ukrainës, është një nga mënyrat për t’i dhënë fund kësaj lufte”- deklaroi së fundmi Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg. Pra thelbi është pikërisht ky:të kuptuarit se kur përballemi me një emergjencë të përmasave të tilla, ne duhet të veprojmë me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion.
Çdo ditë që kalon, është një dhuratë për Vladimir Putin. Ndër të tjera, kapërcimi i mundshëm i “Ramstein Group” (struktura e përkohshme që koordinon transferimin e armëve në Ukrainë nga rreth 50 vende të botës), dhe ndarja e funksioneve të tij brenda organizatës, mund të krijojë hapësira të rëndësishme.
Përtej zhvillimeve të situatës në terren, nuk duket korrekte të thuhet, siç po përhapet në disa qarqe, se programi që ka nisur të diskutohet ditët e fundit (në pritje të eksplorimit të mëtejshëm të aspekteve teknike) mund të dëmtojë përpjekjet e Bashkimit Evropian për të shënuar përparim në sektorin e mbrojtjes.
Ndoshta e vërtetë është e kundërta. Me gjithë respektin e duhur për ata që janë pa ndryshim shumë të vëmendshëm ndaj buxhetit të tyre (Stoltenberg nënvizon sërish me të drejtë se “të ndihmosh Kievin nuk është një akt bamirësie, por një investim për sigurinë tonë”) apo pavarësisht nga provokimet e kryeministrit hungarez Viktor Orban.
“Kjo nuk është as lufta e Hungarisë dhe as e NATO-s”- thotë Ministri i Jashtëm hungarez Peter Zijarto. Përshkallëzimi verbal i regjimit aktual në Budapest që e përkufizon veten si “jo-liberal”, është gjithnjë e më shqetësues. Tani mbështetje po i jep edhe Sllovakia e Fikos dhe Pelegrinit.
Duke iu kthyer ekuilibrit të duhur në këtë fazë, britanikja “The Economist” beson se Bashkimi Evropian nuk mund të përfshihet në “teologjinë institucionale”. Fjalë të gabuara nëse synojnë që të zvogëlojnë perspektivën e një politike të përbashkët në mbrojtje, e cila në vend të kësaj duhet të ndiqet seriozisht.
Por në gjendjen aktuale, ndërsa Moska po shfaqet gjithnjë e më kërcënuese, është e drejtë të thuhet se përparësi duhet t’i jepet NATO-s. Sipas të përjavshmes britanike, forcimi i rolit evropian në Aleancë ka kuptim, pasi tashmë ekzistojnë strukturat e nevojshme ushtarake.
Dhe për shkak se në to do të përfshiheshin disa vende jo-anëtare të BE-së si Britania e Madhe (e cila shpenzon më shumë për mbrojtjen), Norvegjia (e cila ndan një kufiri me Rusinë) dhe Islanda (e cila kontrollon hyrjen në Atlantikun e Veriut) “rritja e peshës së saj në NATO – vazhdon ai – i jep mundësi Evropës t’u tregojë të gjithëve se është e gatshme të bëjë më shumë, me shpresën se Amerika do të mbetet ajo që është, teksa duhet të përgatitet për skenarin kur Amerika mund të tërhiqet nga aleanca”.
Në rast se ekziston kjo alternativë dramatike, është e qartë se një NATO “e udhëhequr nga evropianët”, do të jetë shtylla kyçe e strukturave të ardhshme ndërkombëtare. Marrëdhëniet midis dy brigjeve të oqeanit Atlantik, duhet të thellohen duke hequr pengesat.
Amerika e Xho Bajden – ku ndihma për Ukrainën mbetet ende e bllokuar në Kongres – nuk mund të lihet vetëm. Kjo është gjithashtu një mënyrë për t’iu kundërvënë lodhjes së opinionit publik dhe pasigurive, të cilat po shfaqen përballë një konflikti që po vazhdon prej më shumë se dy vitesh.
Prandaj, ne në Perëndim duhet të jemi më të bashkuar se kurrë, për t’i treguar udhëheqësit të Kremlinit, se ai e ka pasur shumë gabim kur mendoi se pushtimi i Ukrainës do të dobësonte Perëndimin. Ndoshta Donald Trump nuk e mban mend se hera e parë në histori, kur u aktivizua Neni 5 i traktatit themeltar të NATO-s, që parashikon mbrojtje kolektive nëse sulmohet një vend anëtar, ishte pikërisht një ditë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 ndaj SHBA-së. Aleancat nuk janë një fakt simbolik. Është koha që tani të përveshim seriozisht mëngët.