Pak orë paRA nisjes së Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, deputetja Monika Kryemadhi i ka dërguar një mesazh kreut të kësaj force politike, Ilir Meta.
Në një postim në rrjete sociale, Kryemadhi shprehet se çdo tentativë imponuese përjashtuese apo edhe bullizuese ndaj kujdo që mendon jashtë rreshtit është devijim ndaj mbylljes dhe jo ringritjes së partisë.
Rikujtojmë se Ilir Meta ka hedhur deklarata të forta për edhe tradhëtarë brenda PL. Ndërsa ditën e djeshme, Kryemadhi tha se është sulmuar politikisht nga Meta.
Postimi i Kryemadhit:
Meritokracia, mendimi ndryshe, vlerat e individëve në vite që kanë dhënë ndihmesën, në një parti politike janë jetësore dhe hapja ndaj të resë i bëjnë ato edhe më të domosdoshme për rigjallërimin politik. Sot më shumë se kurrë opozita dhe aq më shumë Partia e Lirisë kanë nevojë për to. Çdo tentativë imponuese përjashtuese apo edhe bullizuese ndaj kujdo që mendon jashtë rreshtit është devijim ndaj mbylljes jo ringritjes. Të rinjtë duhet të mësojnë nga gabimet e të vjetërve jo ti përsërisin ato. Ndryshimi vjen me fakte jo me fjalë. E drejta për tu përmisuar ështe për këdo.
Sot në orën 18:00 në KDK e PL.