Publikohen fotot e 24 vjeçares që humbi jetën në Prrenjas, shoferi i dehur u lirua nga burgu dhe u arrestua sërish pasi ajo ndërroi jetë

Janë publikuar fotot e 24 vjeçares Eneida Pishkashi, e cila u aksidentua në rrugën Prrenjas-Qafë Thanë dhe humbi jetën pas 5 ditësh në koma tek Spitali i Traumës”.

E reja ishte duke qëndruar në këmbë para një servisi së bashku me 5 familjarë të tjerë të saj, kur  u përplas nga një shofer i dehur.

Familja jetonte në Greqi dhe ishin rikthyer në vendlindje për një ditëlindje. Shoferi 44 vjeçar Jetmir Daci rezultoi se ishte i dehur në timon, në nivelin 0.40 mg/l të alkoolit. .

Pas aksidentit, Jetmir Daci u lirua me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit dhe u arrestua vetëm pasi e reja humbi jetën në spital dhe pasi lajmi për lirimin e tij u denoncua nga mediat.

Makina e tij “fluturoi” mbi kokat e njerëzve, duke zënë poshtë 24 vjeçaren dhe duke i dëmtuar organet jetësore.

Dy motrat e saj të mitura morën gjithashtu lëndime në trup dhe mbetën të plagosura. Vajza tjetër e familjes 10 vjeçe ka thyer këmbën e po ashtu fraktura ka pësuar dhe vajza 6-vjeçare. Lëndime kanë marrë gjithashtu edhe babai i tyre Artan Pishkashi e gjyshja që ndodhej bashkë me ta.