Pse të rinjtë evropianë po përqafojnë idetë antidemokratike?

Nga Rumena Filipova “Center for European Policy Analysis”?

Përkundër pritshmërisë se të rinjtë do të jenë më largpamës se familjarët e tyre më të mëdhenj në moshë, dëshmitë nga Bullgaria tregojnë se të rinjtë nuk kanë ndonjë dashuri më të madhe për demokracinë, tolerancën sociale apo qëndrimet pro-perëndimore sesa pjesa tjetër e shoqërisë.

Dhe këto tendenca vërehen edhe në vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore, ku Brezi i Mijëvjeçarit dhe Brezi Z po përjetojnë një deformim të pikëpamjeve të tyre politike duke qenë më të prirur ndaj udhëheqjes autokratike dhe shumë të ndikueshëm nga fushatat ruse të keqinformimit.

Mungesa e progresit të qëndrueshëm drejt “më shumë demokracie dhe evropianizmi” në mesin e të rinjve, pas më shumë se 30 vitesh tranzicion nga komunizmi, kërkon një diagnozë të thellë dhe mjetet e nevojshme ligjore për të mbështetur një të ardhme demokratike euroatlantike.

Në Bullgari, sondazhet kanë zbuluar një mbështetje të vakët për demokracinë midis të anketuarve në grupmoshën 18-24 vjeç. Më shumë se gjysma e tyre do të preferonin një udhëheqës të fortë që nuk duhet të shqetësohet për parlamentin dhe zgjedhjet e ardhshme.

Shumë terren po fitojnë edhe ndjenjat nacionaliste. Grupmoshat 18-24 dhe 25-34 vjeç, kanë  më pak gjasa se të tjerët për të parë kërcënimin ndaj identitetit kombëtar dhe vlerave nga grupimet nacionaliste të ekstremit të djathtë.

Vetëm 32 për qind e 18-24-vjeçarëve dhe 37 për qind e 25-34-vjeçarëve e shohin si një kërcënim të djathtën ekstreme. Anasjelltas, është zbehur lidhja me organizmat ndërkombëtare, të mishëruara kryesisht nga Bashkimi Evropian. 71 për qind e të rinjve 18-34 vjeç, mendojnë se BE-ja “i dikton Bullgarisë atë që duhet të bëjë”.

Po ashtu të rinjtë bullgarë ngurrojnë të kritikojnë luftën e Rusisë kundër Ukrainës, me gati 40 për qind të tyre që fajësojnë viktimën për nxitjen e luftës. Bullgarët e moshës 18-29 vjeç, zbulojnë se në media ka një paragjykim pro-ukrainas, edhe pse hulumtimet objektive tregojnë se është shumë i përhapur dezinformimi pro-Kremlinit.

Një panoramë e ngjashme përsëritet në shtetet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore. Tjetërsimi politik, abstenimi në zgjedhje dhe prirjet nacionaliste-autoritare, po bëhen gjithnjë e më shumë një tipar i sjelljes së të rinjve në rajon, sidomos tek vendet që kanë përjetuar autoritarizëm.

Për shembull në Hungari, dominimi politik i Victor Orban dhe ndikimi në media, kanë nxitur krijimin e një mjedisi socio-politik që favorizon pozicionet tradicionaliste dhe pro-Kremlinit. Edhe nëse të rinjtë hungarezë nuk votojnë për partinë qeverisëse Fidesz, sondazhi me të rinjtë nën 30 vjeç tregon se ata kanë më shumë gjasa të anojnë nga forcat opozitare të ekstremit të djathtë, si Atdheu ynë.

Në Serbi, të rinjtë nuk dallojmë shumë nga të tjerët në një moshë më të madhe në qëndrimet e tyre në lidhje me nacionalizmin apo autoritarizmin. Një sondazh zbuloi se vetëm 36 për qind e të rinjve serbë kanë një qëndrim pozitiv ndaj demokracisë, ndërsa 40 për qind e tyre preferojnë pasjen e vazhdueshme të një politike të jashtme “të balancuar” midis Lindjes dhe Perëndimit.

Vetëm 13 për qind duan një përafrim vendimtar me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Po si mund t’i kuptojmë këto qëndrime armiqësore ndaj demokracisë dhe Perëndimit? Së pari, sistemet arsimore të pareformuara dhe të instrumentalizuara politikisht, mund të trashëgojnë  brez pas brezi stereotipet ideologjike dhe interpretime miqësore ndaj regjimit.

Një raport i Institutit për Analizën Globale, zbuloi se tekstet shkollore të historisë të përdorura në Bullgari, çimentojnë interpretime të shtrembëruara të së kaluarës, të cilat janë në favor të Kremlinit dhe që i afrojnë nxënësit me një mentalitet pro-rus.

Në Hungari, axhenda nacionaliste-tradicionaliste e Orban është promovuar nëpërmjet centralizimit të arsimit shkollor, kurrikulave me një frymë të madhe patriotike dhe imponimit të kontrollit politik mbi universitetet. Keqinformimi pro-rus në mediat sociale, luan gjithashtu një rol të madh në formësimin e qëndrimeve të të rinjve, të cilëve pavarësisht zgjuarsisë së tyre në raport me botën dixhitale, mund t’u mungojnë aftësitë për të gjykuar besueshmërinë e informacionit në internet.

Sipas të dhënave të Eurostat, përdorimi i mediave sociale është një aktivitet i preferuar për 84 për qind të të gjithë të rinjve të anketuar. Dhe shkalla e përdorimit të mediave sociale midis të rinjve në Evropën Qëndrore dhe Lindore, është më e lartë se në një numër shtetesh të Evropës Perëndimore, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Italinë.

Fenomeni i ndikimit të mediave sociale, mund të çojë në kuptime të thjeshtëzuara dhe konformiste, pasi infuencuesit  synojnë të rrisin normat e angazhimit dhe jo të edukojnë ndjekësit e tyre. Nga ana e tyre, grupet pro-Kremlinit në Facebook, dhe gjithnjë e më shumë Telegram, po shpërndajnë mesazhe anti-perëndimore, të cilat rrallë i nënshtrohen moderimit të përmbajtjes së tyre.

Por mediat kryesore mund të jenë po aq të dëmshme kur përdoren nga regjimet qeverisëse, siç ndodh aktualisht në Serbi dhe Hungari, për të kultivuar breza të rinj të bindur, duke nxitur tek ta nacionalizmin dhe kritikat anti-perëndimore. Ndërkohë të rëndësishme për formimin e qëndrimeve, janë edhe reagimet e të rinjve ndaj mjedisit të përgjithshëm socio-politik. Perceptimet mbi përjashtimin politik dhe ekonomik, të bazuara tek pabarazia ekonomike, zvogëlimi i mundësive për lëvizshmërinë sociale dhe vëmendja e kufizuar e qeverive ndaj shqetësimeve të të rinjve, kanë qenë një nxitje e rëndësishme për t’u distancuar nga politika.

Si një aspekt pozitiv, pakënaqësia politike ka nxitur herë pas here një valë protestash të të rinjve, si në Bullgari në vitin 2020, apo në Serbi vitin e kaluar. Rikthimi i mbështetjes së të rinjve për kauzën demokratike dhe transatlantike, do të kërkojë fillimisht reforma të mëdha në sistemin arsimor, dhe promovimin e teksteve standarde të zhveshura nga përmbajtja politiko-ideologjike, duke shtuar orët e leksioneve mbi politikën në shkolla.

Synimi duhet të jetë që studentët të mësojnë të vlerësojnë në mënyrë kritike narrativat e të gjitha forcave politike në shoqëri, dhe të kuptojnë origjinën dhe pasojat e tyre. Po ashtu qeveritë duhet të nxisin përpjekjet e komunikimit strategjik, për t’iu qasur të rinjve në një mënyrë më pro-aktive dhe për të shpjeguar përfitimet e bashkëpunimit të BE-së dhe NATO-s.

Tek e fundit, forcat politike demokratike duhet të hartojnë politika që kanë në qendër të vëmendjes të rinjtë, dhe të promovojnë përfshirjen e këtyre të fundit në procesin politik, në mënyrë që ata ta perceptojnë veten si një element kyç në ripërtëritjen e demokracisë dhe forcimin e lidhjes transatlantike.

Shënim:Dr.Rumena Filipova, kryetare e Institutit për Analizën Globale në Bullgari.