Nga Ivana Stradner & Mark Montgomery “Daily Telegraph”
NATO kremton 75 vjetorin e themelimit, në kohën e një vizioni të madh strategjik të Vladimir Putini, që po shfaqet shumë i vendosur:shpërbërjen e aleancës ushtarake perëndimore. Për shkak të përparimeve të fundit të trupave ruse në Ukrainë, mbetet shumë i lartë rreziku i drejtpërdrejtë për anëtarët e NATO-s si Polonia dhe vendet baltike.
Megjithatë nuk janë vetëm ato. Ballkani, një rajon shpesh i lënë pas dore, është gjithashtu një perspektivë shumë e mirë për aspiratat hegjemoniste të Rusisë. Ndaj situata atje po bëhet gjithnjë e më tensionuar dhe e rrezikshme. Britania e Madhe dhe aleatët e saj e shpërfillën Ballkanin mbi një shekull më parë.
Dhe ne s’mund të bëjmë sërish të njëjtin gabim. Ambasadori i SHBA-së në NATO ndërmori hapin e pazakontë, duke paralajmëruar këtë javë se Rusia po përdor keqinformimin, sulmet kibernetike dhe taktika të tjera dashakeqe për ta “destabilizuar” Ballkanin Perëndimor.
Një rast i tillë është Bosnje Hercegovina. Tre dekada pasi ky vend u shkatërrua nga lufta, Serbia – e mbështetur nga miqtë e saj në Moskë – po rindez tensionet etnike, duke rrezikuar sigurinë evropiane. Evropa dhe SHBA-ja duhet të fikin këtë zjarr, përpara se ai të përfshijë gjithë rajonin.
Bosnje Hercegovina përbëhet nga dy entitete autonome:Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republika Srpska. E para është e populluar kryesisht nga myslimanë dhe kroatë boshnjakë, ndërsa serbët dominojnë Republikën Srpska, e cila është shumë e afërt me Serbinë fqinje.
Këto ndarje etnike, shkaktuan një luftë të përgjakshme në vitet 1992-1995, e cila solli vdekjen e më shumë se 100.000 njerëzve, ndërsa miliona të tjerë mbetën të pastrehë. Konflikti përfundoi vetëm pas ndërhyrjes së NATO-s, që çoi edhe në një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, zbatimi i së cilës mbikëqyret nga një përfaqësues i lartë i emëruar nga një këshill ndërkombëtar.
Një forcë paqeruajtëse e BE-së, EUFOR, siguron rendin në kuadër të operacionit ALTHEA.
Sot, vendi mbetet shumë i përçarë. Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, një aleat i Rusisë dhe Serbisë, e ka shtyrë atë në prag të luftës, duke kërcënuar se do të shkëputet.
Në shtator 2023, Dodik e pengoi Përfaqësuesin e Lartë Kristian Shmid të marrë pjesë në takimet zyrtare në selinë presidenciale. Moska dhe Beogradi po i nxisin qëllimisht këto ndarje. Më 5 mars, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, paralajmëroi për një rrezik në rritje të dhunës ndëretnike në Ballkanin Perëndimor.
Paralajmërimi e vinte theksin tek “hapat provokues të Dodik për të neutralizuar misionin e mbikëqyrjes ndërkombëtare në Bosnje, dhe për të siguruar shkëputjen de-fakto për Republikën Srpska të drejtuar prej tij”. Sipas tij ky akt “mund të nxisë udhëheqësit e popullsisë boshnjake (myslimanët e bosnjes) të forcojnë kapacitetin e tyre për të mbrojtur interesat e tyre, dhe të çojë me gjasë në konflikte të dhunshme që nuk mund të menaxhohen dot nga forcat paqeruajtëse”.
Situata u përkeqësua muajin e kaluar, pasi Shmid firmosi një sërë ndryshimesh në ligjin zgjedhor për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dodik e refuzoi menjëherë “paketën e integritetit” të Shmid, dhe kërcënoi sërish se do të shkëputej nga federata. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç iu bashkua këtij kërcënimi, duke postuar një mesazh plot nënkuptime në Instagram:”Ditë të vështira e presin Serbinë për shkak të kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj interesave jetike të Serbisë dhe Republika Srpska. Beteja do të jetë e ashpër, më e vështira që kemi pasur ndonjëherë. Por ne do të luftojmë. Serbia do të fitojë!”.
Në janar të këtij viti Dodik u takua në Moskë me Vladimir Putin, duke ritheksuar refuzimin e entitetit të tij për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës. Në mars, Dodik tha:”Populli serb do të jetë gjithmonë në anën e rusëve”.
Prandaj, a mund të cilësohet e habitshme, pse Rusia po rindez flakët e konfliktit, duke përdorur operacionet informative për të nxitur “RSEXIT” (duke lënë të kuptohet shkëputjen e Republika Srpska nga shteti federativ i Bosnjes)?.
Madje në dhjetor të vitit të kaluar, Putin sugjeroi se mund të niste në Bosnje transmetimi i medias shtetërore ruse Russia Today. Përmes nxitjes së kaosit në Ballkan, Vladimir Putin synon që të forcojë ndikimin rajonal të Moskës, ta shpërqendrojë Evropën nga mbështetja e Ukrainës, dhe t’i japë Putinit një mekanizëm presioni mbi fuqitë perëndimore që nuk duan përshkallëzimin e dhunës.
Për Aleksandër Vuçiçin, ndërhyrja në zhvillimet Bosnje Hercegovinë, ndihmon në forcimin e pushtetit të tij në Serbi. Po ashtu, ai ka nën kontroll liderin e serbëve të Bosnjes Dodik, të cilin e përdor si një mjet për të bërë pazar me Perëndimin, duke e pozicionuar veten si një paqe-bërës.
Fuqitë perëndimore duhet të përballen si duhet me këto kërcënime tani, para se të jetë tepër vonë. Së pari, Uashingtoni duhet të ndryshojë mënyrën se si sillet me Vuçiç. Deri më sot, SHBA-ja është përpjekur ta mbajë të qetë liderin serb nga frika e përshkallëzimit të situatës.
Por kjo qasje tolerante nuk do të funksionojë. Në vend të saj, ambasadori amerikan në Serbi duhet të ketë një qasje të vendosur, duke e paralajmëruar hapur Vuçiçin se do të japë llogari për çdo përshkallëzim të mundshëm të dhunës.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian duhet t’i bashkohet sanksioneve të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe kundër Dodik dhe aktorëve të tjerë që po destabilizojnë vendet aleate të Perëndimit. Për më tepër, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe duhet të luajnë një rol më aktiv në sigurimin e paqes.
Siguria e Bosnje Hercegovinës i është besuar Bashkimit Evropian, që mbështetet tek misioni ALTHEA për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në këtë vend. Megjithatë, procesi i vendimmarrjes së BE-së është jofunksional dhe i shumë ngadaltë në veprime, shpesh i mbajtur peng nga vende si Hungaria që po synojnë të fitojnë sa më shumë lëshime nga Brukseli.
Në fakt, një gjeneral hungarez po e drejton aktualisht ALTHEA-n. Prandaj, SHBA-ja dhe Britania e Madhe duhet të udhëheqin një koalicion vullnetar me vendet kyçe anëtare të BE-së si Gjermania, Franca dhe Holanda, duke sinjalizuar gatishmërinë e tyre për t’iu përgjigjur kërcënimeve të sigurisë nga Beogradi dhe Moska.
Ndërsa Rusia po kërkon që të kthejë njëherë e mirë valën e luftës së saj në Ukrainë, Kremlini do të donte ta shpërqendronte Perëndimin duke hapur një front të dytë lufte në Ballkan. Putin dëshiron të tregojë se vullneti i tij për të sfiduar Perëndimin, është më i madh se sa vullneti i këtij të fundit për të rezistuar. Ka ardhur koha t’i tregohet se e ka shumë gabim.
Shënim:Ivana Stradner, bashkëpunëtore në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive. Admirali në pension Mark Montgomery, bashkëpunëtor në këtë fondacion.