“Ramën e solla me polici në mbledhje”, Meta në protestë: E kam përzënë Gardën e Republikës, nuk më duhen se janë patronazhistë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është bashkuar protestës së sotme përpara Bashkisë së Tiranës, ku u mblodhën qindra qytetarë.

Në fjalën e tij përpara protestuesve, ai tregoi se nuk i lejon më oficerët e Gardës së Republikës ta ruajnë, pasi sipas tij, ata janë vetëm patronazhistë të Rilindjes. Meta ka të drejtë të ruhet nga Garda deri në vitin 2027, pasi ka qenë President i vendit.

Meta tregoi edhe një ngjarje të kaluar, ku tha se e ka sjellë Edi Ramën në mbledhje me polici, pasi kryeministri i sotëm bënte si i sëmurë për shkak se u frikësohej të fortëve të Tiranës.

“Unë mund të kem problemet e mia, por dal në mes të Tiranës dhe s’më duhen “bodyguardët”. Që ta dini i kam përzënë “bodyguardët” e Gardës së Republikës se ata nuk janë punonjës së Gardës së Republikës, ata janë patronazhistë të Rilindjes dhe të këtij sekti të shëmtuar. Unë jam ilir Meta, që e kam shembur atë Parkun Rinia dhe që Edi Rama nuk më vinte në mbledhje se e merrnin të fortët e Tiranës, se s’më merrnin dot mua. Kur më erdhi më bënte si i sëmurë, me polici e kam sjellë në mbledhje”, tha Meta.