Nga Marc Pierini “Carnegie Europe”
Zgjedhjet lokale të 31 marsit në Turqi, prodhuan një rezultat befasues që përbën një pengesë shqetësuese për Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet dhe presidentin e saj, Rexhep Tajip Erdogan. Shumica e qyteteve më të mëdha, mbetën nën kontrollin e opozitës laike të përfaqësuar nga Partia Popullore Republikane (CHP).
Erdogan e pranoi me maturi humbjen. Përpara zgjedhjeve, presidenti turk kishte bërë fushatë në më shumë se 50 nga 81 provincat e vendit, për të mbështetur kandidatët e AKP-së, dhe ai mund ta ketë ditur se gjërat nuk po shkonin mirë. Madje javën e fundit të fushatës, ai u ankua për pjesëmarrjen e pakët në një tubim të mbajtur në Stamboll.
Ndërkohë gjatë një prononcimi për mediat pasi votoi vetë të dielën, shprehu keqardhjen për pjesëmarrjen e dobët të turqve në këto zgjedhje. Edhe pse zgjedhjet ishin lokale, disa i panë ato edhe si një referendum personal për Erdoganin, si një shtresë shtesë të legjitimitetit të nevojshëm për të ndjekur axhendën e tij.
Nga këndvështrimi i Perëndimit, në mbarë Turqinë ka pasur një valë të madhe pakënaqësie me qeverisjen aktuale:Inflacion në nivele të larta, vështirësi për punëtorin apo pensionistin e zakonshëm që të përballojë jetesën, liri themelore gjithnjë e më të kufizuara, një polarizim nga lart-poshtë i shoqërisë turke dhe një kurs i rrezikshëm në politikën e jashtme.
Por pavarësisht këtyre, Erdogan dhe AKP arritën fitoren e radhës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2023, duke konfirmuar në dukje se presidenti ishte një lloj magjistari. U duk sikur njerëzit ia falën politikën e gabuar të normave interesit, të cilën nuk e kuptonte askush.
Po ashtu u duk sikur të prekurit nga tërmeti, do t’i besonin atij në lidhje me procesin e rindërtimit të shtëpive të tyre. Që nga gara presidenciale e vitit të kaluar, ai kishte ndërmarrë disa ndryshime politikash, përfshirë ripërtëritjen e marrëdhënieve me Egjiptin dhe pranimin publikisht të Suedisë në NATO.
Si për të ilustruar qëndrimin e ri të Erdoganit, media pro-qeveritare transmetoi me bujë lajmin mbi takimin e tij me presidentin amerikan Joe Biden më 9 maj në Uashington. Megjithatë, gara e popullaritetit të Erdogan dështoi qartazi të dielën e shkuar.
Dështimi më i bujshëm ndodhi në Stamboll, ku kandidati i tij humbi me rreth 1 milion vota më pak përballë kandidatit opozitar Ekrem Imamoğlu, kreu në detyrë i bashkisë, që fitoi së pari në zgjedhjet lokale të vitit 2019, duke e tronditur presidentin turk.
Që nga data 1 prill, numri i votave kombëtare e vendos partinë kryesore opozitare CHP përpara AKP-së në pushtet. Një rezultat i tillë ishte pothuajse i paimagjinueshëm disa javë më parë. Por pavarësisht humbjes së partisë së tij në zgjedhjet lokale, Erdogan kontrollon qeverisjen qendrore. Regjimi i tij autoritar mbetet i paprekur, dhe po ashtu edhe koalicioni i tij parlamentar. Shqetësimi personal mund të jetë i rëndësishëm, por udhëheqja e tij nuk sfidohet ligjërisht apo në funksionet e tij. Përpara se të përfundonte numërimi i votave, Erdogan dhe ndihmësit e tij nuk humbën kohë duke i kujtuar shumëkujt 3 fakte të fuqisë së tij.
Së pari, për të treguar pozitën e tij të fortë në skenën botërore, Erdogan bisedoi të dielën me presidentët e Iranit, Kazakistanit dhe Uzbekistanit. Por edhe me kryeministrin në detyrë të Holandës, i cili është kandidat për t’u bërë Sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm i NATO-s.
Së dyti, Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi kryerjen e një bombardimi ajror në Irak më 1 prill, duke sinjalizuar se do të vazhdojë lufta kundër militantëve kurdë në Sirinë Veriore dhe Irak.
Se treti dhe e fundit, Erdogan dhe ndihmësit e tij i transformuan shumë shpejt “rezultatet zhgënjyese” të zgjedhjeve në një narrativë mbi “demokracinë e gjallë të vendit”, siç shihet edhe në një postim në platformën X që theksonte “mesazhin e demokracisë që ne turqit i dhamë botës”.
Të paktën edhe për disa vite, Bashkimi Evropian dhe NATO do të përballen ndoshta me të njëjtin Erdogan:i vetëdijshëm mbi peshën e konsiderueshme gjeopolitike të vendit të tij, ai do të vazhdojë të synojë të qëndrojë i baraslarguar nga NATO dhe Rusia, i sigurt në ambicien e tij të shpallur për të ndërmjetësuar mbi paqen kudo që të jetë e mundur, dhe shpeshherë i gatshëm për të hequr dorë nga një opsion i caktuar i politikës së jashtme, në rast se gjen një alternativë më tërheqëse.
Por ajo që mund të kuptojë tani Erdogan, është se sa jopopullore janë bërë në vend zgjedhjet e tij polarizuese por edhe politikat ekonomike kaotike. Situata mund të ndryshojë në muajt në vijim. Gjithsesi mbetet e pasigurt nëse politikat e Turqisë do të ndryshojnë mbi dy çështje me rëndësi jetike.
E para është prania e sistemeve raketore S-400 të prodhimit rus në inventarin ushtarak të Turqisë, një zgjedhje shumë shqetësuese për një vend anëtar të NATO-s. E dyta ka të bëjë me gjendjen e mjerueshme të shtetit ligjor në Turqi, përfshirë trajtimin e disidentëve dhe mendimtarëve të lirë si terroristë bazuar në akuza të rreme.
Për qeveritë perëndimore, dhe më e rëndësishmja për biznesin perëndimor, ky vend mbetet pjesë e një lige tjetër vendesh me standarte jo të njëjta me Perëndimin. Ndryshimet në këto fusha, do të përmirësonin shumë imazhin e Turqisë në skenën botërore.