Projektligji me kontradikta, miratohet me 116 vota pro dhe një kundër amnistia penale

Kuvendi ka miratuar sot amnistinë penale me 116 vota pro dhe një kundër.

Deputetët e mazhorancës dhe të opozitës bashkuan votat për amnistinë, pas debateve të shumta që shoqëruan projektligjin dhe debateve të shumta në seancën e kësaj të enjte.

Më herët kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi tha se do të votonin pro amnistisë pasi u pranuan edhe propozimet e tyre.

Bardhi thekoi se nga kjo amnisti nuk përfiton asnjë zyrtar që është përfshirë në korrupsion dhe që hetohet nga SPAK dhe dënohet nga GJKKO, ndërsa theksoi po ashtu se ata nuk do përfitojnë as ulje dënimi.

Ndër të tjera, theksoi se do të lirohen të gjithë protestuesit e opozitës.

Prej amnistisë penale që u miratua sot në Kuvend, pritet të përfitojnë 1100 të dënuar dhe të paraburgosur, ku krahas 700 të dënuarve, 400 të tjerët do të përfitojnë ulje dënimi nga 1.5 deri në 2 vite burgim.

Ndërkohë në pikën 5 të amnistisë penale ka një ndërhyrje kontradiktore, sepse nga njëra anë falet vepra penale, ku përfshihen dhe ato të korrupsionit. Nga ana tjetër ka një listë të zyrtarëve të lartë, që përjashtohen nga amnistia. Kjo do të thotë se nga amnistia përfitojnë zyrtarët e dënuar për korrupsion nën nivelin e zv.ministrit.

Aministia penale u depozitua në Kuvend që në muajin Dhjetor 2023, por për shkak të mos arritjes së dakordësisë mes palëve për të mundësuar votat, drafti u shty për 3 muaj me radhë.