Bardhi “përplaset” më Ballukun: Krahun e djathtë që blinte votat në Dibër e ke në burg, Ceno Klosi kandidat për t’iu bashkuar të parit

Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi është përplasur me zv.kryeministren Balinda Balluku, pas arrestimit të ish-kreut të ARRSH-së Evis Berberit dhe pas hetimeve që SPAK ka nisur ndaj kreut të Tatimeve Ceno Klosi, dy prej njerëzve më të besuar të numrit dy të qeverisë.

Sipas Bardhit, Berberi dhe Klosi, teksa i cilëson si “krahu i majtë” dhe “krahu i djathtë” i Ballukut, janë përfshirë në blerjen e votave duke përdorur paratë e buxhetit të shtetit.

Replika e Bardhit, erdhi pasi Balluku po i drejtohej deputetes, Flutura Açka duke i thënë “se sa e vlerësojnë dibranët punët e PS, shihet në votat e vitit 2023”.

“Zonja drejtuese e seancës ju kujdeseni të na kujtoni të flasim për temat e rendit të ditës, nuk di të kemi në rend dite zgjedhjet e Dibrës sot, se po të kemi ato dua t’i kujtoj ministres që e ka krahun e majtë në burg, Evis Berberin që blinte votat derë më derë dhe krahun e djathtë, drejtorin e Tatimeve e ka kandidat për të shoqëruar të parin, që po ashtu blinte votat e dibranëve në zgjedhje. Përqendrohemi te rendi i ditës, se po të jetë për zgjedhjet e vota, kalojmë te ato lekët që nga buxheti i shtetit shkonin te Evis Berberi dhe nga ai te qytetarët e varfër të Dibrës”, u shpreh ai.