Prej ditësh vendi po “zien” për shkak të arrestimeve në Bashkinë e Tiranës, ku disa prej drejtorëve të rëndësishëm ranë në pranga pasi përmes kompanisë “5D” vilnin tenderat e Bashkisë.
Ndërkohë opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do protestojnë më datë 5 prill teksa kërkojnë dorëheqjen e kreut të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Tedi Blushi, sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës që do të mbahet ditën e premte në orën 11:00 para Bashkisë së Tiranës.
Përveç arrestimeve të fundit, protesta do të mbahet edhe në lidhje me aferën e inceneratorëve, keqmenaxhimin dhe vjedhjen e taksave të qytetarëve apo ndotjen alarmante në kryeqytet teksa Blushi kërkon që kryebashkiaku Veliaj të vihet para drejtësisë.
Postimi i Tedi Blushit:
EJA PROTESTO! Të shpëtojmë Tiranën nga ky kryebandit, kryehajdut dhe kryemashtrues!
Të premten, në ora 11:00, të gjithë para Bashkisë së Tiranës për të kërkuar:
Ndëshkim për aferën e inceneratorit inekzistent të Tiranës dhe për qindra milionë euro të vjedhura përmes kësaj skeme kriminale.
Ndëshkim për keqmenaxhimin dhe vjedhjen e taksave tona.
Ndëshkim për betonizimin dhe zhdukjen e hapësirave të gjelbërta!
Ndëshkim për ndotjen kriminale të ajrit dhe kthimit të Tiranës në “dhomë gazi” ku çdo vit sëmuren dhe humbin jetën dhjetëra qytetarë.
Ndëshkim për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe të çdo simboli të trashëgimisë historike dhe kulturore.
Ndëshkim për shtëpitë e shembura në shkelje të ligjit, për gjobat e padrejta, për braktisjen dhe lënien në harresë të qytetarëve në nevojë dhe personave me aftësi të kufizuara.
Boll më Drejtësisë me Regji!
Pa marrë të pandehur Erion Veliaj nuk ka Drejtësi!
Eja edhe Ti, të premten, datë 5 prill, në ora 11:00, në protestën para Bashkisë së Tiranës!