Mediat greke kanë publikuar foton e 21-vjeçare shqiptare Elisa Doka, e cila humbi sot jetën në shtetin fqinj. E reja dhe një 68-vjeçare u përplasën nga një makinë që drejtohej nga një 64-vjeçar teksa po prisnin autobusin në stacionin Patrida në Veria.
Si pasojë e përplasjes gjeti vdekjen e menjëhershme 68-vjeçarja, e cila është hedhur rreth 25 metra larg, ndërsa 21-vjeçarja është dërguar e plagosur rëndë në spitalin e Verias, ku ndërroi jetë pak kohë më vonë. Dëshmitë e banorëve të zonës për ngjarjen tragjike janë tronditëse.
“Ne zbritëm dhe pamë se çfarë ndodhi. Kishte një zhurmë të madhe. Ishte si tërmet! Nuk ka fjalë, çfarë të them. Humbëm një nga fqinjët tanë më të rinj. Pashë makinën në oborrin tim dhe gruaja u hodh 25 metra. Nuk e pashë fare vajzën. Të dy prisnin të shkonin në Veria. Shoferi tha se kishte marramendje”, tha një banor, duke përshkruar pamjet tronditëse që ka parë.
Në vendngjarje kanë qenë miqtë dhe kolegët e 21-vjeçares, të cilët kanë thënë se e reja po priste autobusin për të shkuar në spital te tezja e saj.
21-vjeçarja ishte studente për infermieri në shtetin fqinj.