Sulmi i Moskës tregoi se Putin po e humb kontrollin e Rusisë

Nga Roger Boyes “The Times”

A i mbajnë diktatorët qytetarët e tyre më të sigurt se sa demokracitë? A e shmangin ata kaosin? Kjo është pjesë e propagandës së autokratëve patriarkalë kudo në botë, dhe shpeshherë supozimi mbi të cilin janë ndërtuar shtetet e tyre policore.

Ata e shohin veten si mjeshtra të teknologjisë së re të mbikëqyrjes dhe si investitorë të hershëm mbi Inteligjencën Artificiale. Ky ishte sekreti i mbijetesës politike të Vladimir Putinit:një dorë më e qëndrueshme se ajo e Boris Jelcinit, dhe më mbrojtëse e atdheut se sa Mikail Gorbaçov.

Është e vërtetë:Putini i ka futur rusët në një luftë të gjatë dhe brutale kundër Ukrainës, por qytetet ruse në përgjithësi janë të mbrojtura nga ky konflikt. Ai ishte deri dje Mbrojtësi i Madh i atdheut. Tani jo më. Sulmi në Crocus Hall, nxori menjëherë në pah luhatjen e pretendimit të tij se ai është “shpata” dhe “mburoja e “Rusisë”.

Por edhe mungesën e përgatitjes së aparatit të sigurisë ndaj një kërcënimi të ri, si dhe besueshmërinë e ulët të retorikës së regjimit mbi luftën. Sekuenca e ngjarjeve tregon se si Putin po e humbet kontrollin e narrativës së tij.

Së pari më 16 shkurt, ndodhi vdekja në burg e kundërshtarit kryesor të Putinit, Aleksei Navalni, e pasuar në fillim të marsit nga zija e heshtur publike për atë që konsiderohej nga shumë të rinj metropolitanë rusë si një udhëheqës i madh, i cili nuk është më për të drejtuar betejën politike ndaj regjimit aktual.

Më 7 mars, shërbimet sekrete të Shteteve të Bashkuara, bënë ​​një paralajmërim publik bazuar në komunikimet e përgjuara midis anëtarëve të Shtetit Islamik, duke lënë të kuptohet ndodhjen e një sulmi të afërt në hapësirat publike të tejmbushura me njerëz në Rusi.

Por ai u injorua nga Putini, duke u hedhur poshtë si një përpjekje për të pakësuar pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale të 17 marsit, të cilat ai i fitoi me një rezultat të thellë e të dyshimtë prej 88 për qind. Ndoshta për të treguar përbuzjen për ndërhyrjen perëndimore në prioritetet e sigurisë së Kremlinit, Putin shtoi “lëvizjen LGBT” në listën e zezë të terroristëve dhe ekstremistëve të supozuar.

Një ditë më vonë, ISIS kreu sulmin e tij shkatërrues në periferi të Moskës. Atëherë çfarë po ndodh? A i ka shkaktuar lufta në Ukrainë vizionin e tunelit? Një gjë është e sigurt:rusët e zakonshëm që imagjinonin 10 ditë më parë se po votonin për një udhëheqës të besuar, ndjehen tani të frikësuar për të ardhmen.

Ata kanë përjetuar edhe akte të tjera terroriste në epokën e Putinit – sulmi në teatrin e  Moskës në vitin 2002, në të cilin një përpjekje për shpëtimin e pengjeve nga FSB përfundoi me vdekjen e 130 prej tyre, kryesisht të mbytur nga gazi nervor i policisë; por edhe fundi tragjik i pengmarrjes në një shkollë në Beslan në vitin 2004 (330 të vdekur, 186 prej tyre fëmijë) – dhe kanë qëndruar gjerësisht në mbështetje të taktikave të Putinit.

Por këtë herë nuk pati pengje, por vetëm 4 vrasës të armatosur rëndë, por pa eksploziv, pa municione rezervë, pa jelekë të mbushur me tritol, të cilët kryen me shpejtësi një masakër të madhe përpara se të largoheshin. Aktualisht po marrin formë 3 skenarë.

E para që ky ishte një operacion i inskenuar:4 djem taxhikë u rekrutuan për të shkaktuar një masakër, me shpresën se mund të paraqiteshin si bashkëpunëtorë të ukrainasve, duke nxitur kështu zemërimin publik kundër Kievit, dhe duke legjitimuar një mobilizim të përgjithshëm.

Nuk është se Vladimir Putin ka ndonjë merak për vdekjet e civilëve. Në vitin 1999, kur ishte kryeministër, ai ishte pjesë e një komploti të shërbimeve sekrete për të hedhur në erë disa blloqe apartamentesh në Moskë – rreth 300 të vdekur në total – për të cilat u fajësuan separatistët çeçenë dhe që i siguruan një luftë të përshtatshme kundër tyre.

Lufta, në të cilën ai kërcënoi se do t’i gjurmonte dhe “të vriste terroristët në tualetet e shtëpive tyre, nëse është kjo ajo që duhet”, e bëri atë të popullor tek rusët që dëshirojnë një udhëheqje të fortë.

Është e vështirë të shihet se si Putini mund ta përsërisë këtë mashtrim këtë herë, duke e shndërruar tmerrin publik të një boshti midis islamikëve radikalë dhe ukrainasve në një motiv mobilizues të gjithë kombit rus. Në vend se të nxitojnë për t’iu bashkuar luftës, të rinjtë rusë mund të thonë me vete:”E përse duhet të luftoj në Ukrainë, kur ekziston një kërcënim i tillë islamik këtu në shtëpi?”.

Propagandistët e Putinit, janë përpjekur më kot të krijojnë një lidhje midis Kievit dhe Shtetit Islamik, ndaj tani po flasin në mënyrë të paqartë për “mjeshtrit” në Perëndim që tërheqin nga pas fijet e personazheve që kryejnë akte të tilla. Ky është saktësisht momenti kur e kupton se ka dështuar një narrativë e caktuar.

Një skenar i dytë, mund të dalë nga mjegullnaja e fakteve. Putin mund ta përdorë sulmin në Crocus City Hall si një mënyrë për t’u distancuar disi nga Ukraina, duke gjetur një mënyrë për ta ngrirë konfliktin në avantazhin e tij, me shpresën se një presidencë Trump do të shfaqet pas zgjedhjeve të nëntorit, duke u fokusuar në një luftë më të përgjithshme kundër terrorit.

Kjo do t’i jepte atij mundësinë të ndërtonte një rrjetë të fortë sigurie në shtëpi me përmasa pothuajse neo-staliniste. Kauza e asaj që ai mund ta shohë si mandatin e tij të fundit në detyrë, do të ishte të ngjallë frikë dhe të forcojë rolin e shtetit (shtetit të tij) për të qetësuar qytetarët.

Për më tepër, synimi do të jetë zhvillimi i një doktrinë Putiniste që do të zgjasë përtej tij. Disa thonë se Putini është një njeri në kërkim të një spastrimi, si ai që kreu Stalini në vitin 1937. Ai mund t’ia nisë me shërbimet e sigurisë, të cilat siç e tregoi edhe masakra në Crocus janë bërë të ngathëta, të vetëkënaqura nga arrestimi i lehtë i pamfletistëve dhe protestuesve adoleshentë.

Por ka edhe një mënyrë të tretë për ta lexuar krizën aktuale:që Putini po e humbet tashmë kontrollin e Rusisë, dhe se ai ka lejuar që grindjet e brendshme brenda shërbimeve sekrete të dalin jashtë kontrollit. Ushtria është shumë nën presion. Dhe nën zë ka filluar një diskutim mbi pasuesin e Putinit.

Rikthimi i terrorit islamik në Rusi, është diçka sa e parashikueshme po aq edhe e injoruar. Ndërhyrja e Putinit në Siri për të mbështetur kasapin Bashar Al Assad i dha atij pak miq. Republikat e Azisë Qendrore po e nuhasin dobësinë e tij. Dhe ky moment mund të jetë fillimi i tatëpjetës për të.

Putini do të shtojë ndarjen e të dhënave të inteligjencës mbi ISIS-in me Iranin, Turqinë dhe boshtin e miqve të tij dashakeq (Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut). Ndaj tyre duhet pasur shumë kujdes. Sepse ata janë rrjeta e sigurisë së Putinit, nëse gjërat vazhdojnë të shkojnë keq për të. Ata janë shoqëria aq dëshpërimisht e nevojshme për një njeri të vetmuar.