Arrestimet me urdhër të SPAK/ GJKKO jep masat e sigurisë për ish-drejtorët dhe zyrtarët e bashkisë së Tiranës

Ditën e sotme Gjykata e Posaçme do të caktojë masat e sigurisë për drejtorët e bashkisë së Tiranës dhe zyrtarët e tjerë, në lidhje me atë që quhet dosja “5D”.

Mariglen Qato, Redi Molla u arrestuan 2 ditë më parë me urdhër të SPAK, pasi akuzohen për korrupsion dhe fshehje të pasurisë.

Ndërkohë SPAK lëshoi urdhër-arrest edhe për drejtorin e Punëve Publike Taulant Tushe, i cili ndodhet në burg në lidhje me aferën e inceneratorëve.

Ndërkohë Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Elantina Zere dhe Deborah Keçi do të njihen me masën e sigurisë detyrim paraqitje.

Pas denoncimeve të bëra nga ana e opozitës dhe pas hetimeve të kryera nga SPAK, ka rezultuar se të dy ishin pronarë “de facto” të kompanisë “5D Konstruksion” sh.p.k. por ata e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, mes tyre Nestor Muhamellarin.

Sipas SPAK-ut, për 4 vite që Redi Molla ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” ka shpallur fituese tenderash kompaninë që ai dhe drejtori tjetër Mariglen Qato, kishin themeluar vetë.