Shfrytëzonin të miturin për përfitime në TikTok, Apeli lë në burg babain dhe gjyshen e 10-vjeçarit

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për dy personazhet e TikTok, Natasha Rombula dhe djalin e saj Armando Kumaraku. Ata u arrestuan në shkurt të këtij viti pasi Natasha bashkë me Armandon, shfrytëzonin djalin e mitur të këtij të fundit për përfitime në TikTok.

“Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve të paraqitura, nga personat nën hetim me iniciale A. K, dhe N. R, të cilët kërkuan ndryshimin e vendimit dhe caktimin e një mase tjetër sigurimi më të butë. Në përfundim të gjykimit, sot më datë 27.03.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Fatri Islamaj, vendosi: Miratimin e vendimit nr. 22, datë 22.02.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat”, njofton Gjykata.

Natasha Rombula dhe Armando Kumaraku u arrestuan pasi publikonin video me fjalë denigruese për ish bashkëshorten e Armandos, si dhe në një video kishin marrë djalin e tij të vogël dhe e mësonin të përdorte fjalë të pista.

Nënë e bir ishin bërë të famshëm në Tik Tok pikërisht për shkak të fjalorit banal dhe skenave jo etike.