Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, u arrestua me urdhër të SPAK si bashkëpunëtor në tjetërsimin e një sipërfaqe prej 5080 metër katrorë në Gjilekë, e cila u përfitua nga Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka.
Kallëzimi u bë nga Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, i cili ndodhet në burg prej 12 Majit të vitit të kaluar dhe ende nuk e ka bërë betimin për të marrë detyrën. Hetimet që nisën nga ky kallëzim bënë që të arrestoheshin 5 persona, mes të cilëve edhe Goro.
Por edhe pse përfituesi i kësaj toke të tjetërsuar është Artan Gaçi, që u shpall investitor strategjik nëpërmjet këtij trualli tashmë të sekuestruar, SPAK nuk ka dhënë asnjë njoftim për bashkëshortin e ish-ministres.
Statusin “investitor strategjik” Artan Gaçi e mori në kohën kur Olta Xhaçka ishte Ministre e Jashtme, në konflikt të hapur interesi dhe në kundërshtim me ligjin, por që nuk e shqetësoi as kryeministrin Rama që të hidhte firmën dhe t’i jepte ministres së tij një shpërblim të mirë.
Olta Xhaçka rezulton të jetë një nga ministret e preferuara të Ramës, i cili i ka besuar edhe drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes më herët, pavarësisht se është një nga njerëzit më të akuzuar nga opozita dhe jo vetëm.
Kryeministri e ka mbrojtur Xhaçkën edhe nga heqja e mandatit, duke u detyruar të shkelë edhe rregulloret dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Mandati i deputetes Olta Xhaçka duhet shqyrtuar në Kushtetuese, për shkak të konfliktit të interesit kur bashkëshorti i saj u shpall “investitor strategjik”, por prej më shumë se 1 viti kjo çështje mbahet në “sirtarin” e Kuvendit.
Arrestimi i Jorgo Goros është vetëm hapi i parë i SPAK, që sipas gjasave, do të kalojë edhe te Artan Gaçi dhe Olta Xhaçka, përfituesit e paligjshëm të truallit.
Por a do ta mbrojë Rama sërish Olta Xhaçkën? A ka ngrënë ish-ministrja kumbulla pas shpinës së kryeministrit.
Statusi i “investitorit strategjik” jepet nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga Edi Rama. Pra, Rama në dijeni të plotë për konfliktin e interesit ia ka dhënë statusin Artan Gaçit.
Mund të themi se Xhaçka nuk i hëngri kumbullat pas shpine, por ishte vetë kryeministri që ia serviri në pjatë floriri.