Altin Dumani i tregon dosjet “kapicë” zyrtarit të lartë amerikan

Kreu i SPAK Altin Dumani ka tërhequr vëmendjen e amerikanëve, që prej marrjes së detyrës ku ka hetuar edhe politikanë apo zyrtarë dhe ish-zyrtarë të vendit. Disa prej tyre tashmë ndodhen në burg, ku mund të përmendim ish-ministrin Lefter Koka, ish-deputetin Alqi Bllako, apo edhe disa kryebashkiakë socialistë, të cilët kanë abuzuar me detyrën e tyre.

Në vizitën e parë që Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken bëri në vendin tonë, nuk u largua pa zhvilluar edhe një takim me Dumanin. Edhe pse ishte një vizitë disa orëshe, Blinken gjeti kohën për tu takuar me të, që u mor si një sinjal pozitov për punën e bërë nga Prokuroria e Posaçme.

Ndërkohë edhe Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, u takua sot me shefin e SPAK-ut, Altin Dumani, ku ka shprehur mbështjetjen e SHBA-ve për drejtësinë e re.

Por në fotot e publikuara nga vetë ambasada, ajo çfarë vihet re janë një numër i madh dosjesh, të vendosura “kapicë” me njëra tjetrën, që Dumani ia ka treguar zyrtarit të lartë amerikan.

Po ashtu Dumani e falenderoi Robinson për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar SPAK, duke filluar që nga themelimi i kësaj strukture dhe në vijimësi në procesin e konsolidimit dhe specializimit të saj. 

Duhet thënë se Prokuroria e Posaçme ka një sërë dosjesh të nxehta, për të cilat ka nisur hetimet dhe ndoshta edhe vetë Dumani ka dashur të tregojë me krenari punën e bërë nga organi i akuzës.

Mjafton të përmendim këtu dosjen e Sterilizimit, Inceneratorëve, CEZ-DIA, ajo e kompleksit Partizani apo edhe hetimet për një prej njerëzve më të besuar të kryeminstrit Edi Rama, Arben Ahmetaj, i cili vijon të jetë në arrati që prej korrikut të vitit të kaluar.

Altin Dumani, arriti që të godiste në radhët e politikës dhe biznesit, me këtë të fundit shpesh herë të lidhur me krimin. Madje pak ditë më parë nuk ngurroi të tregonte hapur se krimi i organizuar kishte kërcënuar familjen e një prokurori.

Ndërkohë mbetet për tu parë se cila do jetë dosja e radhës që do “trokasë” në SPAK.