Altin Dumani habitet nga Tatimet dhe Doganat: Asnjë kallëzim, nuk ka korrupsion aty? Saimir Tahirin e dënuam ne, e liron një Gjykatë tjetër

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka qenë pjesë e një takimi mes institucioneve dhe aktorëve politikë, “IDM Morning Briefing”, e organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Në fjalën e tij në këtë takim ai foli hapur për korrupsionin në Shqipëri dhe për mënyrën se si Prokuroria e Posaçme po vepron për të luftuar këtë fenomen.

Ai u shpreh i habitur se nuk ka pasur asnjë denoncim nga Drejtoria e Tatimeve apo e Doganave, pavarësisht se dihet që edhe aty ka korrupsion, duke i bërë thirrje institucioneve të bëjnë kontrolle të brendshme.

“Tatimet asnjë kallëzim për korrupsion, doganat asnjë! A ka apo jo korrupsion aty? Patjetër që ka! Ku janë auditimet dhe kontrollet e brendshme? Ndërkaq edhe nga institucionet e tjera numri i kallëzimeve ka rënë ndjeshëm. Vetëm KLSH dhe Policia e Shtetit herë pas here depozitojnë kallëzime në Prokurorinë e Posaçme, por detyra e çdo institucioni është të luftojë korrupsionin. Në këtë situatë SPAK ka nisur me iniciativën e vet një numër të lartë hetimesh”, tha ai.

Dumani përmendi edhe lirimet që Gjykata të tjera i bëjnë të dënuarve nga SPAK dhe GJKKO, duke sjellë shembullin e ish-ministrit Saimir Tahiri. Kreu i SPAK u shpreh se të arrestuarit nga Prokuroria  e Posaçme duhet të gjykohen vetëm nga GJKKO, dhe jo nga gjykata të tjera.

“Kompetencat e Gjykatës së Posaçme për të shqyrtuar ekzekutimet penale të të dënuarve duhet t’i kalojë Gjykatës së Posaçme. Sepse pa dashur t’i paragjykoj kolegët, por nuk mund të trajtohen ata që dënohen nga ne me një lehtësi sikur kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Flitet t’i shqyrtojë Gjykata e Posaçme dhe këtu kam parasysh lirimin e një ish funksionari nga një gjykatë tjetër që ndodhi para kohe”, u shpreh Dumani.

Kryeprokurori i Posaçëm bëri edhe një deklaratë të fortë, pasi u shpreh se familja e një prokurori ishte kërcënuar nga krimi i organizuar, por shtoi se kjo nuk do ta tërhiqte atë nga detyra që kishte marrë.

“Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori. Më shqetëson kërcënimi nga krimi i organizuar , jo kërcënimi nga politika. Ne kemi bërë llogari edhe që mos kthehemi, sepse kjo është detyra jonë të hetojmë.

Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që t’i përballojnë këto situata, por në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyre”, tha Dumani.