VIDEO/ Lindita Nikolla bën thirrje të flitet shqip… duke përdorur fjalë të huaja

Një grup intelektualësh dhe studiuesish prej rreth 1 muaji kanë nënshkruar një peticion ku i kërkojnë Autoritetit të Mediave Audiovizive që të ndërhyjë dhe të mos lejojë individë të shfaqen në ekrane dhe të promovojnë idenë se shqipja është gjuha më e lashtë në botë apo nëna e të gjitha gjuhëve.

Rreth kësaj çështje ka folur edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila bën thirrje që gjuha shqipe të flitet sa më thjeshtë dhe sa më bukur. Por edhe pse thirrjen e ka “të flasim thjesht gjuhën shqipe”, në fjalimin e saj Nikolla përdor edhe fjalë të huaja.

Që në fjalinë e parë ajo përdor fjalën “sensibilitet”, e cila nuk është shqip, ndaj mund ta kishte zëvendësuar me fjalën “ndjeshmëri”.

“Aktualisht ka një sensibilitet të lartë publik, kombëtar, akademik dhe mediatik për mbrojtjen e identitetit të gjuhës dhe vlerave të kombit shqiptar, prej qëndrimeve nihiliste e ksenomane.

Ashtu siç ka edhe një sensibilitet për ekzagjerimet dhe të pavërtetat e qëndrimeve entocentrike që nuk kanë munguar të shfaqen kohët e fundit, sidomos në ekrane dhe mediat online”, thotë Nikolla në nisje të fjalimit në një takim në Kuvend mbi Identitetin e Gjuhës Shqipe.

Ndoshta Nikolla duhet t’i kushtojë pak më shumë rëndësi fjalimit herën tjetër, që fjalët e saj të mos bien në kundërshtim me mesazhin që duan të japin.