Propaganda për Amnistinë bëhet te burgu i grave, ndërsa ligjet për lirimin e miqve të burgosur

Miratimi i Amnistisë Penale mbetet pezull prej më shumë se 2 muajsh, për shkak se mazhoranca nuk ka arritur të bindë opozitën për të bashkuar votat.

Një amendament për të ulur dënimin e zyrtarëve të dënuar nga Gjykata e Posaçme ka sjellë këtë ngërç, pasi opozita ka refuzuar të japë votën për ligjin nga i cili do të përfitonin disa ish-zyrtarë të lartë socialistë.

Ky amendament fillimisht iu atribuua demokratit Bledion Nallbati, por më pas u zbulua se ishte një amendament i shtuar nga mazhoranca, konkretisht nga Plarent Ndreca, për zyrtarët e saj prapa qelive. Ndërkohë, në çdo dalje publike deputetët dhe ministrat socialistë kanë deklaruar se kjo amnisti po bëhet vetëm për njerëzit e thjeshtë.

I tillë ishte edhe rasti i sotëm, ku ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, foli nga burgu i grave në Tiranë, ku propagandoi se amendamenti i shtuar nga deputeti Plarent Ndreca do të ndihmonte edhe qytetarët e thjeshtë.

“Nëse do të pyesni një zonjë brenda burgut, 55 vjeç, e cila është dënuar nga GJKKO dhe kur i thashë që ka një qëndrim për këtë, mendojeni dhe pozitën e asaj që priste të përfitonte 1 vit e gjysmë viti ulje dënimi, por fatkeqësisht dakordësia dhe kompromisi për ta kaluar atë amnisti, është heqja dorë nga ai amendament”, u shpreh ai.

Nga amendamenti i mazhorancës të vetmit që do të përfitonin janë ish-zyrtarët e korruptuar, që pasi kanë grabitur taksat e qytetarëve, po shpresojnë që të lirohen nga miqtë e tyre ende në pushtet.

Propagandën mazhoranca e bën te njerëzit e thjeshtë, ligjet për të ndihmuar miqtë!