Aksidenti me autobusin ku humbën jetën 45 persona, gjykata dënon pronarin e kompanisë “Besa Trans”

Gjykata e Shkupit ka dënuar sot kompaninë “Besa Trans”, autobusi i së cilës u dogj në  autostradën “Struma” në Bullgari.

Autobusi me turistë kthehej nga Stambolli por u aksidentua dhe më pas mori menjëherë flakë, ndërsa si pasojë humbën jetën 45 persona, ndërsa 7 të tjerë u lënduan.

Pronari i “Besa Trans” Bekim Haxhiu, u dënua me një vit e tetë muaj burg, ndërsa kompania “Besa Trans” si subjekt juridik është dënuar me gjobë prej 800 mijë denarëve (12.986 euro).

Në fjalët përfundimtare, përfaqësuesi i akuzës, Vlladimir Milloshevski, tha se autobusi i cili është aksidentuar në Bullgari e ka kaluar kufirin me licencë të përgjithshme, në vend që me certifikatë licence të posaçme, ashtu siç parashihet me ligj.

Ndërsa pala mbrojtëse, theksoi se Bekim Haxhiu ka bërë falsifikim të certifikatës së licencës, pasi sipas tyre, për të bërë falsifikim, duhet që të krijohet një dokument i rrejshëm, ose një dokument i vërtetë të korrigjohet dhe më pas të shfrytëzohet si i vërtetë.

Djegia e autobusit “Besa Trans” ndodhi më 23 nëntor të vitit 2021 në orët e para të mëngjesit, kur autobusi i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek dhe më pas mori flakë. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan.