Nga Tobias Bunde & Sophie Eisentraut “Project Syndicate”
Nëse komuniteti ndërkombëtar ka qenë ndonjëherë në rrugën e duhur drejt një rendi global më paqësor dhe më të drejtë, kjo ndodhi gjatë viteve të para të pas Luftës së Ftohtë. Edhe pse qeverisja globale nuk ishte pa të metat e saj, rreziku i një lufte të fuqive të mëdha dukej i ulët dhe varfëria ishte në rënie.
Për më tepër, rezultatet fillestare të samiteve mbi promovimin e zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit, i rritën shpresat për zgjidhje të reja për problemet më emergjente të njerëzimit. Por tensionet gjeopolitike dhe pasiguria ekonomike e kanë zhdukur prej kohësh optimizmin dhe ambicien e asaj epoke.
Në vend se të punojë bashkë për të adresuar sfidat më urgjente, komuniteti ndërkombëtar është aktualisht “i bllokuar në një ngërç të madh global”, siç e theksoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres. Ç’është më e keqja, shumë shtete duket se nuk kujdesen më për përfitimet më të gjera të rendit botëror liberal.
Ato janë më shumë të shqetësuar për pjesën e tyre të fitimeve. Aktorët kryesorë në komunitetin transatlantik, autokracitë e fuqishme dhe në të ashtuquajturin Jug Global, janë të pakënaqur me atë që ata e perceptojnë si një shpërndarje të pabarabartë të përfitimeve nga bashkëpunimi global.
Në shumë vende perëndimore, një pjesë e madhe e popullsisë beson se po zvogëlohet pjesa e tyre e përfitimeve dhe se kjo po ndodh për shkak të asaj që ata e shohin si një prirje të përgjithshme të stanjacionit dhe rënies së brendshme.
Të dhënat e reja nga Indeksi i Sigurisë së Mynihut, tregojnë se pak qytetarë në G7 besojnë sot se vendet e tyre do të jenë më të sigurta dhe më të pasura pas një dekade. Për më tepër, shumë prej tyre presin që Kina, si dhe Brazili, India dhe Afrika e Jugut, të bëhen shumë më të fuqishme po gjatë kësaj periudhe.
Politikanët populistë në Perëndim, janë të aftë të shfrytëzojnë frikën e rënies. Por politikat nacionaliste që propozojnë mund ta përshpejtojnë këtë proces. Edhe udhëheqësit jo-populistë janë bërë të kujdesshëm ndaj globalizimit, pasi po bëhen të dukshme anët negative të rritjes së ndërvarësisë.
Kina ndoshta ka qenë përfituesja kryesore e rendit ekonomik liberal. Duke ndihmuar në rritjen e ekonomisë globale, udhëheqësit kinezë besojnë se tani vendi i tyre meriton një pjesë më të madhe, dhe se Shtetet e Bashkuara janë në fakt fuqia revizioniste që po përpiqet të ndalojë ngritjen e Kinës dhe ta pengojë atë të marrë rolin e saj të duhur në skenën globale.
Teksa është përballur me disa sfida të brendshme, përfshirë zvogëlimin e numrit të popullsisë, krizën e tregut të pronave të paluajtshme si dhe nivelet e larta të borxhit, Kina ka të ngjarë të fokusohet akoma më shumë në përfitimet relative në vitet e ardhshme.
Ndërsa udhëheqësit kinezë vazhdojnë që të flasin për bashkëpunimin “win-win” (ku fitojnë të gjitha palët), të tjerë po bëjnë ironi duke thënë se tani kjo skemë do të thotë se Kina fiton dy herë.
Është më se e qartë se politikat kineze të viteve të fundit, kanë bërë skeptikë jo pak njerëz ndaj qëllimeve afatgjata të Kinës. Madje i ka nxitur disa që t’i bëjnë më pak të rrezikshme marrëdhëniet e tyre me këtë vend. Të tjerët nuk shqetësohen se pjesa e tyre e byrekut bëhet më e vogël, sepse ata besojnë se edhe më herët ishte e vogël.
Për njerëzit që jetojnë në varfëri apo që vuajnë nga konflikte të zgjatura, thirrjet për të mbrojtur rendin abstrakt të bazuar në rregulla dhe për të përballuar kostot shoqëruese tingëllojnë të mekura, dhe si diçka që synon të përforcojnë dominimin perëndimor.
Shumë vende të Jugut të Global, e dinë se do të vuajnë më shumë se të tjerët pasojat e fragmentimit gjeopolitik në rritje. Për këtë arsye ato po përpiqen të shmangin rreshtimin në njërën anë apo tjetrën, duke bërë thirrje për krijimin e një rendi me shumë pole, gjë që do t’i lejonte ato të ndjekin interesat e tyre.
Por diplomacia transaksionale që mbështesin disa nga këto vende, me fokusin e saj kryesor marrëveshjet dypalëshe dhe fitoret afatshkurtra, mund të minojë perspektivat afatgjata që mund të ofrojë vetëm një sistem i bazuar në rregulla.
Ndërsa gjithnjë e më shumë shtete e përcaktojnë suksesin e tyre në krahasim me të tjerët, mund të nisim të shohim një rreth vicioz si pasojë e të menduarit e një skemë veprimi me shumën zero, e cila mund ta dëmtojë prosperitetin e përbashkët dhe të përshkallëzojë tensionet gjeopolitike.
Ky skenar po shpaloset në shumë fusha dhe po përfshin rajone të ndryshme. Edhe politikat kundër ndryshimeve klimatike, që janë ndoshta shembulli më i mirë se si nga bashkëpunimi global mund të përfitojnë të gjithë, rrezikon që të bjerë pre e shqetësimeve se cili vend mund të përfitojë në kurriz të tjetrit.
Për disa prej këtyre politikave ekzistojnë disa arsye shumë të vlefshme: “zhdukja e rrezikut” në marrëdhëniet ekonomike, është një përgjigje racionale ndaj një mjedisi më konkurrues dhe mund të ndihmojë në uljen e dobësive.
Por fragmentimi në rritje i ekonomisë botërore në blloqe konkurruese gjeopolitike, mund të pengojë rritjen, sidomos tek vendet me të ardhura të ulëta. Dhe nga ana tjetër një rritje ekonomike e reduktuar, ushqen mentalitetin e një loje me shumën zero, duke krijuar kësisoj një profeci vetë-përmbushëse.
Përballë kësaj pasigurie gjeopolitike, është e kuptueshme që një vend do të dojë të mbrojë pjesën e tij të fitimit. Megjithatë komuniteti ndërkombëtar duhet të parandalojë që frika ndaj përfitimeve të pabarabarta të mbizotërojë në debatet politike.
Mbi të gjitha, përpjekjet për të mbrojtur interesat individuale të shteteve, duhet të balancohen me përpjekjet për të zgjeruar përfitimet për të gjithë. Dhe kjo e fundit do të kërkojë ndërtimin e partneriteteve të reja, të bazuara tek bashkëpunimi me përfitim reciprok, si dhe reformimin e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla për të garantuar që përfitimet të ndahen sa më gjerësisht. Në rast se dështojnë këto përpjekje, atëherë çdo pjesë është e destinuar që të zvogëlohet, dhe vendet do të përfundojnë duke garuar jo se kush fiton më shumë por kush humbet më pak.
Shënim:Tobias Bunde, drejtor i Kërkimit dhe Politikës në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Sophie Eisentraut, drejtuese e Kërkimeve dhe Publikimeve në këtë institucion.