Nga Brian Klaas “The Guardian”
Kur mendojmë të udhëtojmë pas në kohë, na thuhet gjithmonë i njëjti paralajmërim: sigurohuni që të mos prekni asgjë. Sepse edhe shtypja e një insekti, mund të ndryshojë të ardhmen në mënyrë të pakthyeshme.
Nëse çdo ndryshim i vogël nga e kaluara krijon të tashmen tonë, atëherë çdo aspekt i së tashmes sonë krijon gjithashtu të ardhmen tonë. Teoria e kaosit, është një e vërtetë shkencore e vërtetuar tashmë, dhe shpjegon se si sistemet komplekse janë të ndjeshme edhe ndaj ndryshimeve të vogla, të cilat mund të kenë efekte të mëdha.
Në fakt ajo nuk mund të quhet më teori, sepse është vërtetuar vazhdimisht. Kjo është arsyeja pse ne nuk mund të parashikojmë motin më shumë se një javë përpara. Nëse llogaritjet tona rezultojnë të gabuara qoftë edhe për një shifër shumë të vogël, atëherë gjithçka është e rrëzuar.
Këto dinamika injorohen kur marrim parasysh njerëzit në vend të lëndës fizike. Për këtë nuk ka asnjë arsye të fortë. Ne i nënshtrohemi të njëjtave ligje të fizikës si çdo gjë tjetër, por thjesht pretendojmë se nuk është e vërtetë. Ndoshta kjo ndodh sepse ajo që mund të ndodhë me veten tonë të së ardhmes, nëse shtypim insektin e gabuar, është aq e rëndë sa është më e lehtë të pretendosh se bota funksionon ndryshe. Në fakt nuk është kështu.
Kjo është arsyeja pse historia shpesh përbëhet nga momente në dukje të parëndësishme që nuk kanë gjithmonë kuptim. Bomba atomike u hodh në Hiroshima dhe jo në Kioto, sepse një zyrtar i qeverisë amerikane pushoi në Kioto bashkë më gruan e tij 19 vjet më parë me rastin e muajit të mjaltit.
Trump mund të ketë vendosur të kandidonte për president në 2016, pasi Obama e poshtëroi publikisht me një shaka në vitin 2011. Pranvera Arabe u ndez nga një shitës perimesh në Tunizinë Qendrore, që vendosi t’i vinte flakën vetes. Ne thuhet të përqendrohemi tek variablat e mëdhenj e të dukshëm.
Pra tek “sinjali” duke e injoruar “zhurmën”. Por zhurma – e kompleksitetit të shoqërisë – e ndryshon shpesh shumë thellë botën tonë. Në një kuptim më të gjerë, specia jonë ekziston vetëm për shkak të një sërë goditjesh. Dy miliardë vjet më parë – dhe kurrë më – një bakter i vetëm u përplas në një qelizë prokariote dhe përfundoi brenda saj.
Ai evoluoi në një mitokondri, duke bërë të mundur jetën komplekse, nga bari dhe pemët, nga kërmijtë dhe njerëzit. 100 milionë vjet më parë, një krijesë e ngjashme me syrin u infektua me një retrovirus, duke çuar tek zhvillimi i placentës dhe kjo është arsye pse ne gjitarët nuk bëjmë vezë.
66 milionë vjet më parë, një lëkundje e vogël në renë Oort hodhi një asteroid drejt Tokës, duke i zhdukur dinozaurët dhe lejuar zhvillimin e vrullshëm të gjitarëve. Nëse asteroidi do të kishte goditur pak më vonë, njerëzit nuk do të ekzistonin. Gjithçka që kemi arritur do të ishte zhdukur.
Historia e ekzistencës shkruhen shpesh falë ngjarjeve periferike. Por këta janë vetëm shembujt që mund të vëzhgojmë. Realiteti më i thellë dhe më befasues, është se ne po jetojmë vazhdimisht në momente të “dyerve rrëshqitëse”, plotësisht të pavetëdijshëm se si shtigjet tona në jetë – dhe trajektorja e shoqërive tona – po degëzohen vazhdimisht dhe pafundësisht, si rezultat i ndryshimeve të vogla aksidentale.
Ne i injorojmë këto faktorë të padukshëm, pra momentet që nuk do t’i kuptojmë kurrë se ishin të rëndësishme, gabimet që janë të panjohura për ne, sepse nuk i kemi parë dhe nuk do t’i shohim kurrë jetët tona alternative të mundshme.
E megjithatë, për shkak se truri ynë ka evoluar për të zbuluar modele (një truk i dobishëm për të na mbajtur gjallë për t’u riprodhuar), ne injorojmë një fakt mistik që bota dhe jetët tona janë të varura në mënyrë të konsiderueshme nga rastësia dhe kaosi.
Shkenca, dhe veçanërisht fusha e sistemeve komplekse, e di se kështu funksionon bota. Por në përgjithësi shkenca sociale e injoron atë. Në vend se të ballafaqohemi me realitetin, ne kemi shpikur një konceptim të rremë të botës sonë që fshin të gjitha vështirësitë e jetës, pasi ato janë të vështira për t’u modeluar.
Një imazh mashtrues reflektohet tek ne nga këto modele, nga ekonomia tek shëndeti publik dhe deri tek politika. Tek modelet – gjithmonë të gabuara, por ndonjëherë të dobishme – çdo shkak e ka një efekt të drejtpërdrejtë. Çdo ngjarje e madhe ka një shkak të madh, dhe asnjëherë një “zhurmë” të vogël.
Por kur ne jetojmë sipas modeleve që e zvogëlojnë kompleksitetin e jetë sonë kaotike në një version të rregullt të saj, nisim të besojmë se kemi më shumë kontroll sesa është vërtet. Pasi nëse ajo ndikohet nga disa ndryshore kryesore që ne mund t’i manipulojmë, atëherë ne e kemi nën kontroll atë.
Por nëse bota është nën ndikimin e insekteve të shtypura dhe presidentëve populistë, atëherë ne jemi çuditërisht jashtë kontrollit të botës. Nga kjo rrjedh se vendimet tona të mëdha, janë vetëm një faktor në trajektoren e jetës sonë. Kur humbisni në një ruletë, ju nuk e fshikulloni veten si një dështak.
Përkundrazi e pranoni rezultatin arbitrar dhe vazhdoni përpara. Pranimi që shpeshherë rezultatet e pakuptimta dhe aksidentale dalin nga një botë e ndërthurur dhe komplekse është shumë fuqizues dhe çlirues. Të gjithë ne duhet të marrim pak më pak merita mbi triumfet tona dhe pak më pak faje përsipër për dështimet tona.
E megjithatë, ne vazhdojmë të përpiqemi të zbutim një botë të egër, por edhe jetët tona në një kërkim donkishotesk për të qenë gjithnjë e më shumë efektivë. Por kur përpiqemi të zhbëjmë çdo përpjekje në një luftë për kontroll dhe optimizim të shpejtë, ai që shpërbëhet është në fakt thelbi i të qenit njerëzor.
Për këtë arsye, shumë prej nesh ndihet sikur po jeton në një “jetë vazhdimisht të kontrolluar”. Pra paradoksi është se ne nuk kontrollojmë asgjë, por ne ndikojmë mbi gjithçka. Siç e provon edhe teoria e kaosit, në një sistem të ndërthurur, çdo veprim ka një efekt valëzues të paparashikuar.
Asgjë nuk është e pakuptimtë. Dhe kjo na çon tek një e vërtetë e madhe:gjithçka që bëjmë ka rëndësinë e saj. Se ju vetë jeni kulmi i rastësishëm i tërësisë së historisë kozmike. Që të ekzistonte, gjithçka duhej të ishte pikërisht ashtu siç ishte. Pra edhe ashtu siç je, pikërisht në këtë moment, dhe në këtë botë.
Dhe kjo na çon tek një ide e thjeshtë dhe mbresëlënëse:që ne të gjithë jemi manifestimi i gjallë i 13.7 miliardë viteve me dukuri të rastësishme, të cilat dukeshin të pamundura të ndodhnin. Ne nuk do të jemi asnjëherë në gjendje ta kuptojmë plotësisht ekzistencën tonë. Sidoqoftë, Kurt Vonnegut, na dha këshilla të mira se si të jetojmë plotësisht brenda kësaj pasigurie:”Një nga synimet e jetës njerëzore, pavarësisht se kush e kontrollon atë, është të duash këdo që është përreth për t’u dashuruar”.
Shënim:Brian Klaas, profesor i asociuar mbi politikën globale në Kolegjin Universitar të Londrës.