Ushtarët ukrainas të plagosur në luftë do të mjekohen në Malin e Zi? Zelensky zbardh takimin me presidentin malazez

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky vizitoi për herë të parë vendin tonë, në kuadër të samitit, “Ukrainë – Europa Juglindore”, ku morën pjesë liderët e disa shteteve të rajonit dhe jo vetëm.

Gjatë një takimi me kryeministrin Edi Rama, Zelensky tha se diskutuan mbi mundësinë e prodhimit të mundshëm të armëve të përbashkëta.

Ndërkohë presidenti ukrainas ka zbardhur edhe takimin me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç.

Pasi e falënderoi për mbështetjen, Zelensky siç bën me dije përmes një postimi në rrjete sociale, bisedoi me Milatoviç për trajtimin mjekësor të ushtarëve ukrainas të plagosur në luftë, në Malin e Zi.

“Kam pasur një takim me Presidentin Jakov Milatoviç dhe e falënderoj Malin e Zi për pritjen e ukrainasve që ikën nga lufta. Ne diskutuam gjithashtu trajtimin mjekësor dhe rehabilitimin për ushtarët ukrainas në Mal të Zi. I jam mirënjohës Malit të Zi që iu bashkua Deklaratës së Vilniusit të G7 dhe Formulës së Paqes të Ukrainës. E informova Presidentin Milatoviq për Samitin e parë Global të Paqes në Zvicër në kuadër të përpjekjeve tona për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Ne gjithashtu koordinuam bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërkombëtar të Ukrainës dhe Malit të Zi”, shkruan Zelensky në rrjetin social X.